Selen Temizer,Burak Karacaoğlu,Levent Tok
19 Shtator 2017•Përditësim: 20 Shtator 2017
IDLIB (AA) - Vazhdojnë sulmet ajrore intensive në rajonin Idlib në veri të Sirisë, i cili ndodhet nën kontrollin e opozitarëve. Në më shumë se 40 sulme të ndërmarra në 6 orët e fundit janë qëlluar të paktën 13 zona dhe si pasojë kanë humbur jetën të paktën 7 civilë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në Idlib mësohet se sulmet ajrore të cilët kanë nisur rreth orës 10.00 në pjesën jugore të qytetit kanë rritur intensitetin e tyre pas drekës. Pas sulmeve të ndërmarra në komunat Han Shejhun, Kefer Nabil dhe në fshatrat Habit, Teri dhe Tejr Mella janë vendosur në objektiv edhe komuna Maret Numan dhe rajonet Latamne, Kefer Zita, Mare Zejta dhe Sajjad.
Gjithashtu bëhet e ditur se në sulmet e ndërmarra ndaj spitalit Tah në komunën Maret Numan kanë humbur jetën dy punonjës. Ndërsa bëhet e ditur se komuna Han Shejhun dhe fshati Habit janë përballur me një sulm të dytë ku si pasojë në fshatin Habit ka humbur jetën 1 civil.
Pjesë e sulmeve ajrore ka qenë edhe këshilli lokal në rajonin Kefer Nebil ku ende nuk ka ndonjë informacion në lidhje me persona të vdekur apo të plagosur.
Mbrojtja civile në Idlib në një deklaratë nëpërmjet medias sociale ka njoftuar se si pasojë e mbi 40 sulmeve ajrore janë qëlluar 3 spitale dhe 3 qendra të mbrojtjes civile. Ndërsa ende nuk është përcaktuar se kujt i përkasin avionët luftarakë.
Në sulmet e ndërmarra nga avionët e regjimit të Asadit rreth orës 10.00 të mëngjesit në fshatrat Sukejk, Habit dhe Hamidije si dhe rajonin Ter të cilët janë afër njëri-tjetrit në jug të qytetit u vranë 4 civilë dhe 7 të tjerë u plagosën.
Situata në Idlib
Idlibi, i cili në mars të vitit 2015 hyri nën kontrollin e opozitarëve, është bërë objektiv i sulmeve intensive të regjimit gjatë luftës civile.
Procesi për paqen në Siri i filluar në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, nën kryesimin e Turqisë dhe Rusisë, arriti që për dy muaj e gjysmë të ndalojë sulmet ajrore në Idlib. Qyteti me 2.5 milionë banorë kohë pas kohe bëhet shënjestër edhe e sulmeve artilerike të regjimit.
Të premten e kaluar, shtetet garantuese Turqia, Rusia dhe Irani arritën marrëveshje për kufijtë e zonës jokonfliktuale në Idlib. Shtetet në fjalë po ashtu ranë dakord për të dërguar forca monitoruese ndërmjet opozitarëve në qytet dhe forcave të regjimit në lindje.