Recep Canik
11 Dhjetor 2016•Përditësim: 12 Dhjetor 2016
NAIROBI (AA) - Si pasojë e një shpërthimi të shkaktuar nga një autocisternë me lëndë kimike në Kenia humbën jetën 40 persona, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmeve në shtypin lokal mësohet se anëtari i komisionit Naivasha, Isaac Masinde, ka njoftuar se 40 persona kanë humbur jetën si pasojë e një shpërthimi të shkaktuar nga një autocisternë me lëndë kimike në autostradën mes kryeqytetit Nairobi dhe qytetit Naivasha.
Ndër të tjera Masinde ka theksuar se një person tjetër që ka shpëtuar nga zjarri ndodhet nën kujdesin intensiv në spital.
Zëdhënësi i Presidencës së Kenias, Manoah Esipisu, ka njoftuar se 11 nga personat e vdekur kanë qenë policë.
Policia e Kenias ka pohuar se shpërthimi ka ndodhur në një orar ku qarkullimi ka qenë intensiv në autostradën Nairobi-Naivasha e cila ndodhet 80 kilometra nga kryeqyteti Nairobi dhe si paosjë janë djegur 13 automjete.
Sipas dëshmitarëve pretendohet se drejtuesi i autocisternës është përplasur me mjetin para tij pasi ka humbur kontrollin dhe më pas ka ndodhur një shpërthim i madh.