Putin lejon rojet private të përdorin armë ushtarake kundër dronëve
Ligji zbatohet për organizatat private të sigurisë në objektet strategjike, përfshirë ato të karburanteve dhe energjisë
Stamboll
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar një ligj që lejon rojet private të sigurisë të përdorin përkohësisht armë zjarri të nivelit ushtarak dhe municion për të luftuar dronët, mes luftës së vazhdueshme me Ukrainën, transmeton Anadolu.
Siç raporton gazeta shtetërore Rossiyskaya, ligji zbatohet për organizatat private të sigurisë në objektet strategjike, përfshirë ato të karburanteve dhe energjisë.
Kryetar i Komitetit për Siguri në Dumën Shtetërore dhe një nga autorët e ligjit, Vasily Piskaryov, tha se ligji u mundëson rojeve të përdorin armë automatike luftarake që janë në dispozicion të Gardës Kombëtare Ruse.
“Masa e propozuar do të mundësojë një reagim më të shpejtë dhe më efektiv ndaj kërcënimeve të sigurisë, si dhe do të forcojë ndjeshëm mbrojtjen kundër terrorizmit të objekteve kritike dhe qytetarëve që punojnë atje”, tha Piskaryov.
Ai shtoi se që nga viti 2024 janë regjistruar më shumë se 1 mijë sulme me dronë ndaj objekteve të karburantit dhe energjisë.
Piskaryov theksoi gjithashtu se ligji vendos mekanizma për monitorimin, ruajtjen dhe trajtimin e armëve që u jepen organizatave të sigurisë.
Ligji federal u publikua sot dhe hyn në fuqi po të njëjtën ditë.
