Bota

Putin do të marrë pjesë në Konferencën e Berlinit për paqen në Libi

Putin do të jetë i pranishëm në shkëmbimin e pikëpamjeve për zgjidhjen e krizës në Libi, përfshirë vendosjen e një armëpushimi të qëndrueshëm dhe fillimin e një dialogu politik nën kujdesin e OKB-së

Elena Teslova  | 17.01.2020 - Përdıtësım : 17.01.2020
Putin do të marrë pjesë në Konferencën e Berlinit për paqen në Libi

Moskë

Kremlini ka bërë të ditur se presidenti rus, Vladimir Putin, të dielën do të marrë pjesë në Konferencën e Berlinit e cila organizohet për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje politike për konfliktin në Libi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kremlini tha se Putin do të jetë i pranishëm në shkëmbimin e pikëpamjeve për zgjidhjen e krizës në Libi, përfshirë vendosjen e një armëpushimi të qëndrueshëm dhe fillimin e një dialogu politik nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara (OKB).

"Marrëveshja kyçe do të shënohet në dokumentin përfundimtar të konferencës", tha Kremlini.

Më 12 janar, palët ndërluftuese të konfliktit libian njoftuan një armëpushim në përgjigje të thirrjes së përbashkët të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe atij rus, Vladimir Putin.

Por, bisedimet e të hënës për një marrëveshje të përhershme armëpushimi përfunduan pa sukses, pasi lideri i forcave të armatosura jolegjitime me qendër në lindje të Libisë, Khalifa Haftar, u largua nga Moska pa nënshkruar marrëveshjen.

Gjermania kërkon t’i sjellë në Konferencën e Berlinit palët në konflikt dhe vendet e shqetësuara me çështjen e Libisë, në një përpjekje për të arritur një armëpushim të përhershëm dhe për t’i hapur rrugën zgjidhjes politike të konfliktit.

Që nga rrëzimi i sundimtarit Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi u shfaqën dy qeveri rivale, njëra në Libinë lindore e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe tjetra në Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.