Protestuesit katalanas bllokojnë rrugën kryesore në kufirin Spanjë-Francë
Organizatorët e demonstratave thanë se mijëra automjete kanë bllokuar fluksin e trafikut në të dy drejtimetEkip
11 Nëntor 2019•Përditësim: 12 Nëntor 2019
OviedoAutomjetet dhe protestuesit kanë paralizuar trafikun në kufirin midis Katalonjës dhe Francës që nga fillimi i së hënës, për të cilën grupi separatist katalanas tha se kishte filluar një valë të re protestash, raporton Anadolu Agency (AA).
Organizatorët e demonstratave thanë se mijëra automjete kanë bllokuar fluksin e trafikut në të dy drejtimet.
Bllokimet e trafikut tani shtrihen me kilometra në kufi, ku autostrada spanjolle A-7 takohet me autostradën franceze A-9, sipas të përditshmes katalanase La Vanguardia.
Automjetet po ridrejtohen përmes rrugëve nacionale, por edhe në ato rrugë dytësore janë ngritur bllokada gjithashtu.
Aksioni po drejtohet nga “Cunami Demokratik”, një grup që ka qëndruar prapa disa trazirave në Katalonjë gjatë muajit të fundit. Protestat filluan si përgjigje ndaj dënimeve me burg, të cilat u shqiptuan për nëntë liderët separatistë katalanas.
Kjo protestë, tha grupi në një deklaratë, synon të paralajmërojë bashkësinë ndërkombëtare për nevojën që politikanët nga Katalonja dhe Spanja të "ulen dhe të flasin" në vazhdën e zgjedhjeve të përgjithshme të dielën.
Deri më tani, kryeministri i përkohshëm i Spanjës nuk ka pranuar të flasë me udhëheqësin separatist katalan, Quim Torra, duke thënë se Torra së pari duhet t'i bindet ligjit. Torra është zotuar të mbajë një tjetër referendum të paligjshëm të pavarësisë në rajonin e pasur verilindor.
"Sot, ne fillojmë një mënyrë të re të protestës, duke përdorur teknologjinë për të mbrojtur të drejtat dhe lirinë kolektive. Me këtë model të ri, automjetet bëhen protagonistët e veprimit", tha organizata në Twitter.
Protestuesit kanë ngritur një skenë në mes të autostradës dhe u kanë bërë thirrje protestueseve të sjellin thasë për gjumë, veshje të ngrohtë dhe bateri për telefonat e tyre celular. Fotografitë tregojnë se janë mbledhur sasi të konsiderueshme të furnizimeve të tjera, përfshirë pajisjet e gatimit, ushqimin dhe pijet. ACN, një tjetër grup i pavarësisë, tha se gjithashtu janë vendosur tualete të lëvizshëm dhe një kuzhinë.
“Cunami Demokratik” theksoi se kjo ishte e dita e parë nga tre ditët e protestave të planifikuara. Mediat lokale raportojnë se grupi planifikon të qëndrojë në kufi për 72 orë.
Një numër i madh policësh, francezë dhe spanjollë u vendosën në të dyja anët e kufirit.