Ekip
28 Nëntor 2019•Përditësim: 28 Nëntor 2019
Të paktën 14 protestues irakianë u vranë dhe 80 të tjerë u plagosën në përleshjet me forcat e sigurisë në qytetin jugor Nassiriya në provincën Dhi Qar, tha një burim mjekësor, raporton Anadolu Agency (AA).
Burimi, i cili punon në Departamentin e Shëndetit në provincën Dhi Qar, foli për AA në kushte anonimiteti se "spitalet në provincë deri më tani kanë konstatuar vdekjen e 14 protestuesve dhe plagosjen e 80 të tjerëve".
Sipas burimit, viktimat ndodhën gjatë përleshjeve midis protestuesve dhe forcave të sigurisë në urat Al-Nasr dhe Al-Zeytun në Nassiriya.
Forcat irakiane të sigurisë u përleshën me protestuesit herët sot në përpjekje për të kontrolluar të dy urat që janë mbyllur që nga e mërkura e kaluar, tha një burim sigurie më parë për AA.
Iraku është tronditur nga protestat masive që nga fillimi i tetorit kundër kushteve të dobëta të jetesës dhe korrupsionit. Protestuesit më pas u revoltuan kundër autoriteteve dhe bënë thirrje për shpërndarjen e qeverisë së kryeministrit, Adel Abdul-Mahdi.