Ali Semerci
14 Dhjetor 2017•Përditësim: 14 Dhjetor 2017
GAZA (AA) – Së paku 11 palestinezë janë plagosur pasi ushtarët izraelitë intervenuan gjatë demonstratave në rajonet kufitare të Rripit të Gazës, të organizuara për shkak të vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të njohur Kudsin si "kryeqytet të Izraelit", raporton Anadolu Agency (A).
Zëdhënësi i Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, Ashraf Kudra, deklaroi se ushtarët izraelitë intervenuan gjatë protestave në kufirin perëndimor të Gazës. Ai theksoi se gjatë ndërhyrjes janë plagosur 11 palestinezë të cilët, siç tha, janë dërguar në disa spitale në rajonin e Gazës. Sipas tij asnjëri prej të lënduarve nuk ka marrë plagë të rrezikshme për jetën.
Rikujtojmë se, të mërkurën vazhduan përleshjet mes ushtarëve izraelitë dhe palestinezëve të cilët protestuan ndaj vendimit të SHBA-ve për njohjen e Kudsit si "kryeqytet të Izraelit". Më herët të mërkurën gjatë protestave në Bregun Perëndimor u lënduan 18 palestinezë. Protestat u mbajtën në Ramallah, Betlehem, Hebron dhe Nablus në Bregu Perëndimor.
Deklarata e Trumpit
Presidenti amerikan, Donald Trump, më 6 dhjetor mori vendim për njohjen e Kudsit si "kryeqytet të Izraelit", si dhe zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi. Më pas pasuan protesta të shumta në mbarë Bregun Perëndimor dhe në kufirin me Rripin e Gazës ku gjatë intervenimit të forcave izraelite, u lënduan një numër i madh i palestinezëve.