Elena Teslova
13 Qershor 2023•Përditësim: 14 Qershor 2023
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se kundërofensiva e Ukrainës e nisur në fillim të këtij muaji ishte e pasuksesshme dhe viktimat që pësoi vendi ishin “katastrofike”, raporton Anadolu.
Duke folur në një takim me korrespondentët ushtarakë në Moskë, Putin tha se “kundërshtari nuk pati sukses në asnjërën pozitë dhe ata kanë humbje të mëdha”.
“Nuk do t’i përmend tani humbjet nga personeli, por struktura e humbjeve është aq e pafavorshme për ta, sa që po i afrohen një vlerësimi që mund të quhet katastrofik”, tha Putin.
Duke krahasuar me humbjet ruse, Putin tha se viktimat ushtarake të Ukrainës janë 1 me 10.
Më tej, siç tha ai, vetëm 54 tanke ruse janë dëmtuar dhe prej tyre disa mund të riparohen.
Nga pala ukrainase, sipas tij, janë shkatërruar 25-30 për qind e pajisjeve ushtarake që morën si ndihmë, duke arritur në gjithsej 160 tanke dhe 600 automjete të blinduara.
Duke iu referuar granatimeve të vazhdueshme të rajoneve kufitare ruse, Putin tha se nuk ka kuptim të vendoset një ligj ushtarak mbarëkombëtar, por theksoi se një “zonë e sigurt” mund të vendoset nëse situata vazhdon.
I pyetur për shembjen e digës Kakhovka, Putin tha se “pala ukrainase po përpiqej ta dëmtonte atë”.
“Ne nuk kemi regjistruar shpërthime të mëdha, por ato kanë goditur qëllimisht hidrocentralin e Kakhovkës me HIMARS”, tha Putin, duke iu referuar armëve të prodhimit amerikan.
Shembja e digës në Ukrainën jugore më 6 qershor ka sjellë përmbytje, ndërsa Ukraina dhe Rusia kanë fajësuar njëra-tjetrën për dëmtimin e mureve të digës në sulme.