Ekip
27 Maj 2018•Përditësim: 27 Maj 2018
RAMALLAH (AA) - Gjendja shëndetësore e presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, dukshëm është përmirësuar, ku pas shtatë ditëve të kaluara në spitalin në Ramallah, është larguar për trajtim shtëpiak, raporton Anadolu Agency (AA).
Mjeku i presidentit palestinez, Yasser Abu Safiyeh, deklaroi të dielën se Abbas ka dalë nga spitali, ndërsa mbajtja e tij për shtatë ditë, ka qenë nga shkaku i parandalimit të komplikimeve të mundshme.
Rikujtojmë se më 20 maj, Abbas u shtrua në spital me simptoma të etheve, vetëm pak ditë pas ndërhyrjes kirurgjikale të veshit.
Siç thanë mjekët palestinezë, Abbas u ndal në spital nga shkaku i një pneumonie e cila e mbajti të lidhur me një aparat respirator, ndërkohë që i ishte nënshtruar edhe një terapie antibiotike intravenoze.
I njohur si një duhanpirës i pasionuar, dhe një person që vuan nga obeziteti, 83 vjeçari Abbas tashmë për disa vite përballet me probleme shëndetësore.
Në pozitën e presidentit të Palestinës, Abbas erdhi në vitin 2004, duke e trashëguar Yasser Arafatin i cili ndërroi jetë.
Ndonëse Abbas këmbëngul se është me shëndet të mirë, duke shmangur bisedat për një trashëgues të mundshëm, zyrtarët kanë filluar të shprehin shqetësimin për situatën e tij shëndetësore, dhe prapa skenave tashmë ka filluar lufta e trashëguesve të tij të mundshëm.