Aness Suheil Barghoti
08 Dhjetor 2016•Përditësim: 09 Dhjetor 2016
JERUSALEM (AA) – Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka refuzuar të mërkurën ftesën e presidentit francez, Francois Hollande, që të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare në Paris gjatë këtij muaji, në të cilën do të ringjalleshin negociatat për paqe palestinezo-izraelite, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njoftohet nga kabineti i tij, Netanyahu i ka thënë presidentit francez se Izraeli “nuk do të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare e cila nuk do të kontribuojë në arritjen e paqes".
“Nëse nuk ka Konferencë në Paris, kryeministri është i gatshëm të takohet me presidentin palestinez Abbas dhe të zhvillojë negociata të drejtpërdrejta pa vendosjen e parakushteve”, theksohet në njoftimin e kabinetit të Netanyahut.
Zëdhënësi i presidencës palestineze, Nabil Abu Rudeineh, në një deklaratë për AA konfirmoi se autoritetet franceze kanë informuar udhëheqjen shtetërore palestineze për qëllimin që të mbajnë konferencë në Paris më 21 dhjetor.
Negociatat për paqe mes Izraelit dhe Palestinës dështuan në vitin 2014 për shkak të refuzimit të Izraelit që të lirojnë grupin e të burgosurve politik palestinez, përskaj premtimeve të mëhershme. Që atëherë të gjitha tentimet për të ringjallë procesin e paqes dështuan, kryesisht për shkak të këmbënguljes së autoriteteve izraelite me ndërtimin e vendbanimeve hebreje në territorin e okupuar palestinez. Negociatorët palestinez pohojnë se aktivitetet e ndërtimit të vendbanimeve duhet të ndalen që marrëveshja gjithëpërfshirëse e paqes të mund të arrihet.