Evren Aydemir, Shpetim Hiseni
08 Dhjetor 2016•Përditësim: 09 Dhjetor 2016
BERLIN (AA) – Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka deklaruar se kriza në lindje të Ukrainës si dhe çështja e Krimesë dhe ajo e Malësisë së Karabakut janë çështje që duhen zgjidhur urgjentisht, raporton Anadolu Agency (AA).
Në Hamburg të Gjermanisë ka nisur punimet Këshilli i Ministrave të Jashtëm i OSBE-së në të cilin marrin pjesë afërsisht 50 ministra të jashtëm nga 57 shtete anëtare, në mesin e të cilëve edhe ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu.
Në fjalën e tij gjatë hapjes së mbledhjes, Steinmeier theksoi se krizat janë rritur edhe më shumë në vendet ku duhej zvogëluar dhe se është i nevojshëm një dialog i ri dhe kërkim i mundësive për bashkëpunim. Sipas tij, është i nevojshëm një strukturim më funksional dhe efikas i OSBE-së në mënyrë që të parandalohen dhe tejkalohen krizat.
Steinmeier theksoi se monitoruesit civilë të OSBE-së në lindje të Ukrainës po punojnë në kushte shumë të vështira dhe se shpesh rrezikohen nga sulme të armatosura, gjë që sipas tij është e papranueshme. Në mënyrë që të tejkalohet kriza, siç tha ai, armët e rënda duhen tërhequr nga vendi, megjithatë, për realizimin e kësaj nevojitet edhe shfaqje vullneti politik nga palët e përfshira në konflikt.
Duke tërhequr vëmendjen edhe drejt krizave të tjera në botë, Steinmeier tha: “Krahas të gjitha përpjekjeve tona në lindje të Ukrainës, ne nuk do ta harrojmë as Krimenë. Ajo u aneksua kundër ligjeve të shteteve. Deri më sot organizatat e OSBE-së nuk mund të hyjnë atje. Megjithatë, nuk kemi vetëm krizën e Ukrainës. Njëkohësisht, edhe zhvillimet në krizën e Malësisë së Karabakut janë shqetësuese. Luftimet që janë ndezur sërish në fillim të muajit prill, treguan se kjo përçarje po vazhdon me rrezikshmëri të lartë. Nga shumë takime kam mësuar se është urgjente të sillet armëpushim permanent dhe të fillohen negociata të vërteta për gjetjen e zgjidhjes politike.”