Bota

Presidenti Erdoğan shpreh ngushëllime për rrëzimin e aeroplanit në Indi

“Në emër të kombit turk, unë u shpreh ngushëllimet e mia familjeve dhe të dashurve të atyre që humbën jetën në rrëzimin e aeroplanit në Ahmedabad të Indisë dhe të plagosurve u uroj shërim të shpejtë”, shkroi Erdogan

Esra Tekin  | 12.06.2025 - Përdıtësım : 13.06.2025
Presidenti Erdoğan shpreh ngushëllime për rrëzimin e aeroplanit në Indi

Stamboll

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka shprehur ngushëllimet e tij për rrëzimin e aeroplanit në Ahmedabad të Indisë, i cili mori jetën e të paktën 265 personave, transmeton Anadolu.

“Në emër të kombit turk, unë u shpreh ngushëllimet e mia familjeve dhe të dashurve të atyre që humbën jetën në rrëzimin e aeroplanit në Ahmedabad të Indisë dhe të plagosurve u uroj shërim të shpejtë”, shkroi presidenti Erdogan në platformën sociale X.

Ministri i Punëve të Brendshme i Indisë, Amit Shah, tha se temperatura e lartë për shkak të djegies së karburantit në aeroplanin e Air India, që u rrëzua në Indinë perëndimore, “nuk la asnjë mundësi” për të shpëtuar pasagjerët. Megjithatë, ai konfirmoi se një person në bordin e fluturimit 171 mbijetoi.

Duke folur para mediave pasi vizitoi vendin e aksidentit në qytetin Ahmedabad, Shah tha se të gjitha departamentet e qeverisë qendrore dhe shtetërore po kryejnë operacionet e shpëtimit dhe se kombi është i “pikëlluar” për incidentin.

“Aeroplani mbante pothuajse 125 mijë litra karburant dhe për shkak të temperaturës së lartë nuk kishte asnjë mundësi për të shpëtuar askënd”, tha Shah.

Fluturimi i Air India me destinacion Mbretërinë e Bashkuar mbante 230 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit, përfshirë dy pilotë. Deri më tani, sipas mediave lokale, janë gjetur 265 trupa.

Avioni ra mbi një konvikt të kolegjit mjekësor. Zyrtarët thanë se disa studentë dhe banorë të asaj zone humbën jetën dhe disa të tjerë gjithashtu u plagosën.

Ministri Shah tha se u takua me të mbijetuarin, duke shtuar se numri përfundimtar i të vdekurve do të shpallet pas verifikimit të ADN-së së viktimave.

Sipas linjës ajrore, 169 nga pasagjerët në bord ishin shtetas indianë, 53 shtetas britanikë, shtatë portugezë dhe një kanadez.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.