Presidenti Erdogan: Përgjigja globale "e vendosur dhe konsistente" mund ta "ndalë Netanyahun"
Presidenti Recep Tayyip Erdogan thekson nevojën për "presion të fortë diplomatik" mbi Izraelin, thotë se armëpushimi në Gaza duhet të zbatohet plotësisht
Istanbul
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të mbajë një qëndrim të vendosur dhe të qëndrueshëm kundër veprimeve të Izraelit në Gaza, duke theksuar nevojën për presion më të fortë diplomatik dhe akses të pandërprerë të ndihmës humanitare në Gaza, raporton Anadolu.
"Unë besoj se nëse bashkësia ndërkombëtare tregon një vullnet të vendosur, të qëndrueshëm dhe të aftë të përballojë sanksionet, ajo mund ta ndalë Netanyahun", tha Erdogan në fluturimin e tij të kthimit nga Johanesburgu i Afrikës së Jugut, pasi mori pjesë në samitin e udhëheqësve të G20-ës.
Lidhur me shkeljet e armëpushimit në Gaza nga Izraeli, ai tha se Hamasi "po tregon durim të madh përballë të gjitha këtyre provokimeve nga Izraeli dhe po i përmbahet armëpushimit", duke shtuar se "zbatimi i plotë i këtij armëpushimi është thelbësor".
Lidhur me sigurinë rajonale, presidenti turk paralajmëroi se Ankaraja do të veprojë me vendosmëri nëse kërcënohet. "Kur bëhet fjalë për sigurinë kombëtare të vendit tonë, të gjithë e dinë se çfarë hapash kemi ndërmarrë. Nëse përballemi përsëri me një rrezik të ngjashëm, do të bëjmë atë që është e nevojshme", tha presidenti turk.
Erdogan përsëriti gjithashtu gatishmërinë e vendit të tij për të ndihmuar në ndërmjetësimin në konfliktin Rusi-Ukrainë, duke shtuar: "Si Turqi, ashtu siç luajtëm një rol të rëndësishëm më parë në Stamboll, jemi gati sot të mbajmë të njëjtin qëndrim konstruktiv".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
