Diyar Güldoğan
20 shtator 2022•Përditësim: 21 shtator 2022
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se marrëveshja e Istanbulit për të rifilluar eksportet e drithërave ukrainase ka qenë një nga arritjet më të mëdha të Kombeve të Bashkuara (OKB) në vitet e fundit, raporton Anadolu Agency (AA).
“Si rezultat i përpjekjeve tona intensive me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, ne kemi siguruar që drithërat ukrainase të arrijnë në botë nëpërmjet Detit të Zi”, tha presidenti Erdoğan në fjalimin e tij gjatë seancës së 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që po mbahet në selinë e OKB-së në New York të SHBA-së.
Kjo marrëveshja, theksoi presidenti turk, “që është e një rëndësie kritike në ruajtjen e furnizimeve globale të drithërave, është një nga arritjet më të mëdha të OKB-së në vitet e fundit”.
Türkiye, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina më 22 korrik nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithërave nga tre portet ukrainase të Detit të Zi, të cilat u ndaluan pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në muajin shkurt.
Një qendër e përbashkët koordinimi me zyrtarë nga të tre vendet dhe nga OKB-ja u formua në Istanbul për të mbikëqyrur dërgesat.
Që kur anija e parë lundroi sipas marrëveshjes më 1 gusht, më shumë se 160 anije kanë transportuar mbi 3 milionë tonë produkte bujqësore përmes korridorit të drithërave.
Më tej, presidenti Erdoğan theksoi se Türkiye do të vazhdojë përpjekjet e saj për t’i dhënë fund luftës me një marrëveshje “bazuar në integritetin territorial dhe pavarësinë e Ukrainës”.
“Së bashku, ne duhet të gjejmë një zgjidhje diplomatike të arsyeshme, të drejtë dhe të zbatueshme që do t’i japë të dy palëve një dalje të ndershme nga kriza”, tha presidenti Erdoğan.
Ai po ashtu i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të “mbështesë me sinqeritet” përpjekjet e Türkiyes për një paqe të qëndrueshme midis Moskës dhe Kievit.
“Tashmë është e domosdoshme që ne të strukturojmë OKB-në si një organizatë që mund të gjenerojë zgjidhje për një rend botëror më të drejtë dhe ku vullneti i zakonshëm është i mishëruar në emër të gjithë njerëzimit”, theksoi Erdoğan.
Duke folur për luftën e Türkiyes kundër organizatave terroriste, presidenti Erdoğan tha se Türkiye pret mbështetje të sinqertë nga aleatët në luftën kundër terrorizmit.
“Nuk mund të pritet që Türkiye të qëndrojë indiferente ndaj PKK-së dhe degëve të saj të cilat kryejnë sulme terroriste dhe kërcënojnë integritetin territorial të Sirisë”, u shpreh Erdoğan, duke apeluar që “ata që armatosin terroristët dhe që përpiqen t’i legjitimojnë ata, duhet të heqin dorë nga kjo rrugë”.
Duke iu referuar Greqisë, presidenti turk theksoi se ky vend e ktheu Detin Egje në “varrezë për refugjatët”. Ai shtoi se përveç kthimit çnjerëzor të emigrantëve të parregullt në Detin Egje, Greqia gjithashtu ndjek “politika diskriminuese dhe shtypëse” kundër pakicës muslimane turke.
Më tej, ai po ashtu përsëriti mbështetjen turke për integritetin territorial palestinez dhe theksoi se Türkiye ndjek lidhjet me Izraelin për paqen dhe stabilitetin rajonal.
Lidhur me konfliktin midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, Erdoğan deklaroi se Türkiye gjithmonë do të qëndrojë me Azerbajxhanin dhe njoftoi se është e mundur një marrëveshja gjithëpërfshirëse mes Bakut dhe Jerevanit.
Në fund, Erdoğan foli edhe për çështje të tjera ndërkombëtare, ndër to edhe për muslimanët ujgur. Ai theksoi se Türkiye beson në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të turqve muslimanë ujgurë pa dëmtuar integritetin territorial dhe sovranitetin e Kinës.
Sa i përket muslimanëve Rohingya, presidenti Erdoğan tha se Türkiye mbështet kthimin e sigurt, vullnetar, të ndershëm dhe të përhershëm të muslimanëve Rohingya në atdheun e tyre.
Ndërsa referuar Qipros Turke, presidenti Erdoğan ftoi komunitetin ndërkombëtar që t’i japë fund persekutimit të qipriotëve turq dhe sa më parë të njohë zyrtarisht Republikën Turke të Qipros Veriore.