Şenhan Bolelli
01 Janar 2021•Përditësim: 02 Janar 2021
Presidenca e radhës në Bashkim Evropian (BE) duke filluar nga 1 janari kaloi nga Gjermani në Portugali, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në historinë e saj Portugalia do të kryesojë për të 4-tën herë me BE-në, ndërsa në periudhën e ardhshme 6 mujore axhenda kryesore do të vazhdojë të jetë mbi pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19) dhe Brexit.
Në këtë periudhë, parashikohet që BE të përqendrohet në zbatimin e vendimeve të marra për të zvogëluar ndikimin socio-ekonomik të pandemisë, procesin e vaksinimit dhe mjedisin që rezultatet e marrëveshjes së Brexit do të shkaktojnë.
Megjithëse u arrit një marrëveshje për buxhetin 2021-2027 dhe planin e rimëkëmbjes së BE-së nën mandatin e presidencës së Gjermanisë, përfundimi i të gjithë elementëve teknikë do të menaxhohet nën udhëheqjen e Portugalisë në mënyrë që fondet të arrijnë vendet anëtare.
Ekspertët e politikës së jashtme argumentojnë se periudha e ardhshme do të jetë "sfiduese dhe Portugalia duhet të luajë një rol në sigurimin që gjërat të bëhen në kohë" për shkak të vetos në minutën e fundit të Hungarisë dhe Polonisë mbi shpërndarjen e fondeve të BE.
Gjatë kësaj periudhe do të vëzhgohet edhe funksionimi i Brexit-it, që nënkupton se tashmë Britania e Madhe nuk është pjesë e tregut dhe unionit doganor të BE-së.
Ministri i Jashtëm i Portugalisë, Augusto Santos Silva, duke iu referuar aleancës diplomatike të Portugalisë dhe Britanisë që daton në shekullin e 14-të dhe rezidencën e dytë të shumë britanikëve në vendin e tyre, tha, "Portugalia mund të jetë një ndërmjetës i mirë në këtë proces të ri për të filluar me Britaninë".
Gjatë presidencës së Portugalisë, Santos kishte theksuar se gjithashtu ndër prioritetet e tyre do të ishin, përfundimi i përgatitjeve për samitin e planifikuar midis BE-së dhe Afrikës, rinisjen e negociatave ekonomike dhe politike me Indinë dhe vlerësimin e rezultateve të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar midis BE-së dhe Organizatës së Shteteve Afrikane, Karaibe dhe të Paqësorit në 2000.
Prioritetet e BE-së gjatë viteve të fundit, planet e tranzicionit ekologjik dhe dixhital, do të vijnë gjithashtu në pah gjatë presidencës së Portugalisë.
Temat e rëndësishme të axhendës ndërkombëtare si Mesdheu Lindor, Libia dhe Siria por edhe marrëdhëniet Turqi-BE do të jenë midis çështjeve që do të trajtohen në periudhën e presidencës portugeze.
Gjithashtu pritet që edhe marrëdhëniet SHBA-BE të përmirësohen, pasi i zgjedhuri president i SHBA-ve, Joe Biden të marrë detyrën më 20 janar.
Presidenca më 1 korrik do të kalojë nga Portugalia tek Sllovenia.