Ekip
05 Tetor 2022•Përditësim: 05 Tetor 2022
Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, ka bërë të ditur se vendi i tij është në bisedime me SHBA-në për anëtarësimin në programin e ndarjes bërthamore të NATO-s, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Gjithmonë ekziston mundësia për të marrë pjesë në ndarjen bërthamore. Ne kemi folur me liderët amerikanë nëse SHBA-ja po shqyrton një mundësi të tillë. Tema është e hapur", tha presidenti Duda në një intervistë për të përditshmen ‘Gazeta Polska’.
Politika e NATO-s për parandalimin bërthamor i lejon anëtarët e pa armatosur bërthamor të marrin pjesë në grupin e planifikimit të aleancës.
Nga tre fuqitë bërthamore brenda NATO-s, respektivisht Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja, vetëm kjo e fundit merr përsipër ndarjen bërthamore. Belgjika, Gjermania dhe Italia janë ndër aleatët që kanë armë bërthamore amerikane në territorin e tyre.
Nëse Kremlini do të fillonte një luftë bërthamore, tha Duda, ata që janë përgjegjës do të "mallkoheshin në të gjithë botën".
"Problemi mbi të gjitha është se nuk kemi armë bërthamore", shtoi ai.
Presidenti polak theksoi se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën kundër luftës së Rusisë.
"Polonia do të qëndrojë në krah të Ukrainës. Ukraina duhet të mbrohet dhe t’i mbijetojë kësaj lufte. Ne duhet të krijojmë një situatë në të cilën Rusia do të duhet të tërheq trupat e saj. Ukraina duhet të kthehet në kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarisht, para agresionit rus në vitin 2014", tha Duda.