Bahattin Gönültaş
13 dhjetor 2021•Përditësim: 14 dhjetor 2021
Kompania farmaceutike amerikane Pfizer njoftoi se ka arritur marrëveshje për blerjen e Arena Pharmaceuticals për 6,7 miliardë dollarë në mënyrë që të zgjerojë pozicionin e saj në fushën e kurimit të kancerit dhe sëmundjeve inflamatore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Arena Pharmaceuticals, e cila prodhon barna në gastroenterologji, dermatologji dhe kardiologji, ka pranuar ofertën e kompanisë Pfizer prej 100 dollarë për aksion, theksohet në njoftimin e Pfizer.
Kjo ofertë është dyfishi i çmimit të aksionit të kompanisë Arena Pharmaceuticals në mbyllje të premten kur ishte 49,94 dollarë.
Arena Pharmaceuticals e ka selinë në Kaliforni.
Transaksioni pritet të përfundojë në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, pasi Pfizer të marrë të gjitha lejet e nevojshme.
Pfizer, një nga kompanitë e para që zhvilloi vaksinat e koronavirusit në bashkëpunim me kompaninë gjermane të bioteknologjisë BioNTech, muajin e kaluar bleu gjithashtu kompaninë Trillium Therapeutics, e cila prodhon ilaçe kundër kancerit, për rreth 2.22 miliardë dollarë.