Fuat Kabakçı
28 Mars 2018•Përditësim: 28 Mars 2018
PEKIN (AA) – Për shkak të ndotjes së ajrit në kryeqytetin e Kinës, Pekin, është shpallur alarm i kaltër, raporton Anadolu Agency (AA).
Instituti meteorologjik në Pekin njoftoi se niveli i grimcave të dëmshme PM 2.5 dhe PM 10 arriti nivel të rrezikshëm, gjegjësisht kufirin e lartë të ndotjes së ajrit për shkak të cilës në kryeqytet është shpallur alarm i kaltër.
Dukshmëria në Pekin është mes dy dhe katër kilometrave.
Zyrtarët paralajmëruan banorët që sa më pak kohë të kalojnë në rrugë ndërsa ata që doemos duhet të dalin të mbajnë maska mbrojtëse.
Qytetarët janë paralajmëruar për stuhinë e rërës nga Mongolia, që ditët e ardhshme do të ndjehet edhe në Kinë.
Për shkak të ndotjes së ajrit në Kinë në fuqi janë katër nivele të alarmit, i kaltër, verdhë, portokalli dhe i kuq. Shumica e qyteteve kineze janë ndër qytetet më të ndotura në botë.
Në Kinë viteve të fundit janë ndërmarrë shumë masa për të ulur ndotjen e ajrit. Janë formuar ekipe për mbikëqyrje, janë rritur gjobat për kompanitë që ndotin ajrin ndërsa përkohësisht janë ndërprerë edhe punimet ndërtimore.
Në vendin me popullsinë më të madhe në botë, si pasojë e sëmundjeve të shkaktuara nga ndotja e ajrit në vit humbin jetën rreth 1.6 milionë njerëz.