Parlamenti i Irakut miraton qeverinë e Mustafa al-Kadhimit
Parlamenti miratoi 15 nga gjithsej 22 ministrat e kabinetit të ardhshëm të Qeverisë së Irakut

Ankara
Parlamenti i Irakut miratoi kabinetin e kryeministrit të nominuar Mustafa al-Kadhimi pas disa ndryshimeve të minutës së fundit për të qetësuar partitë politike, transmeton Anadolu Agency (AA).
Parlamenti miratoi 15 nga gjithsej 22 ministrat e kabinetit të ardhshëm.
Pesë kandidatë për ministra u refuzuan ndërsa votimi për dy ministra u prolongua, duke lënë të zbrazëta shtatë ministri, përfshirë postet e rëndësishme si ministri i Naftës dhe i Punëve të Jashtme.
Kandidatët për Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Shpërnguljes dhe Migracionit, Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Tregtisë dhe Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit u refuzuan.
Votimi për ministrin e Naftës dhe Punëve të Jashtme u prolongua për shkak se asnjë kandidat nuk ishte i caktuar.
Al-Kadhimi dhe 15 ministrat e votuar u betuan në Parlament.
Presidenti irakian, Barham Salih emëroi Al-Kadhimin, një ish-drejtor i Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës Kombëtare të Irakut, si kryeministër më 9 prill.
Sipas kushtetutës së Irakut, Al-Kadhimi kërkohet të formojë qeverinë e re brenda një muaji.
Iraku është përfshirë nga protestat masive që nga fillimi i tetorit për kushtet e dobëta të jetesës dhe korrupsionit, duke detyruar kryeministrin Adil Abdul-Mahdi të jepte dorëheqje.
Sipas Komisionit irakian për të drejtat e njeriut, më shumë se 600 persona janë vrarë dhe 17.000 të tjerë janë plagosur në protestat e deritanishme.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.