Rabia İclal Turan
25 Dhjetor 2020•Përditësim: 25 Dhjetor 2020
Papa Françesku bëri thirrje për bashkëpunim ndërkombëtar për të siguruar që të gjithë njerëzit të kenë qasje në vaksina dhe trajtim gjatë pandemisë së koronavirusit (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).
Në fjalimin tradicional të Krishtlindjeve në Pallatin Apostolik për shkak të masave COVID-19, Papa u lut: “Biri i Zotit le të rikthejë te udhëheqësit politikë dhe të qeverive një frymë bashkëpunimi ndërkombëtar, duke filluar me kujdesin shëndetësor, në mënyrë që të gjithëve t’u sigurohet qasje në vaksina dhe trajtim”.
“Në këtë moment të historisë, të shënuar nga kriza ekologjike dhe çekuilibrat e rëndë ekonomikë dhe socialë të përkeqësuar edhe nga pandemia e koronavirusit, është më e rëndësishme për ne që ta njohim njëri-tjetrin si vëllezër dhe motra”, shtoi ai.
Duke theksuar se fëmijët paguajnë një çmim të lartë për luftërat, veçanërisht në Siri, Irak dhe Jemen, ai tha se Krishtlindja është një kohë e favorshme për të lehtësuar tensionet në gjithë Lindjen e Mesme dhe Mesdheun Lindor.
Ai gjithashtu u lut për shërimin e plagëve të popullit sirian, “të cilët për një dekadë janë shkatërruar nga lufta dhe pasojat e saj, tani të përkeqësuara nga pandemia”.
“Le të sjellë ngushëllim për popullin irakian dhe për të gjithë ata që janë përfshirë në punën e pajtimit, dhe posaçërisht për jezidët, të sprovuar rëndë nga këto vitet e fundit të luftës”, tha ai.
Ai u lut që paqja të vijë në Libi dhe izraelitët dhe palestinezët të rifitojnë besimin e ndërsjellë dhe të kërkojnë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme nëpërmjet dialogut.
Ai gjithashtu inkurajoi njerëzit e Libanit që të mos humbin shpresën midis vështirësive me të cilat përballen aktualisht.
Papa nxiti bashkësinë ndërkombëtare dhe vendet e përfshira ta vazhdojnë armëpushimin në Malësinë e Karabakut, si dhe në rajonet lindore të Ukrainës.
Lideri i Kishës Katolike gjithashtu u lut për njerëzit e Burkina Fasos, Malit dhe Nigerit, të cilët po vuajnë nga një krizë humanitare, si dhe bëri thirrje për t'i dhënë fund dhunës në Etiopi.
Duke folur për katastrofat natyrore në Azinë Juglindore, veçanërisht në Filipine dhe Vietnam, Papa tha: “Gjersa mendoj për Azinë, nuk mund ta harroj popullin Rohingya”, duke u lutur për shpresë për ta në një kohë kur po përjetojnë vuajtje.