Ekip
29 Gusht 2019•Përditësim: 29 Gusht 2019
Pakistani kreu një testim "të suksesshëm" të një rakete balistike gjatë natës, njoftoi sot ushtria pakistaneze mes tensioneve në rritje me rivalin e saj të kahmotshëm Indinë pas veprimeve të kësaj të fundit në Kashmir në fillim të këtij muaji, raporton Anadolu Agency (AA).
Raketa 'Ghaznavi', e cila u emërua sipas sundimtarit afgan të shekullit të 11-të, Sulltan Mahmud Ghaznavi i cili është i famshëm për sulmet e tij të shumta ndaj Indisë, është "e aftë të mbajë lloje të shumta të kokave raketore" deri në 290 kilometra, tha gjeneral majori Asif Ghafoor, zëdhënës i ushtrisë së Pakistanit në një postim në Twitter.
Ushtria gjithashtu publikoi një video nga fillimi i stërvitjes.
Testi i fundit shënon testin e tretë raketor të Pakistanit këtë vit. Pakistani më parë kreu testin e raketës balistike tokë-tokë Shaheen-II në maj dhe raketës balistike taktike Nasr në janar.
Tensionet tashmë të ngritura midis dy fqinjëve janë përshkallëzuar pas vendimit të New Delhit për të hequr autonominë e Xhamu Kashmirit më 5 gusht, gjë që ngriti frikën e ekspertëve të sigurisë për konflikt të ri të armatosur në Azinë Jugore.
Nga viti 1954 deri më 5 gusht 2019, Xhamu Kashmir kishin dispozita të posaçme sipas të cilave ligjet i sillnin vet. Dispozitat gjithashtu mbronin ligjin e shtetësisë së rajonit, i cili ndalonte të huajt që të vendosnin dhe të zotëronin tokë në territor.
India dhe Pakistani e mbajnë Kashmirin në pjesë dhe pretendojnë tërësinë e saj. Kina kontrollon gjithashtu një pjesë të rajonit të kontestuar, por janë India dhe Pakistani ata që kanë zhvilluar dy luftëra për Kashmirin.
Disa grupe të Kashmirit në Xhamu dhe Kashmir kanë luftuar kundër sundimit indian për pavarësi ose për bashkim me Pakistanin fqinj.
Sipas disa grupeve të të drejtave të njeriut, mijëra njerëz janë vrarë në konflikt në rajon që nga viti 1989.