Fatjon Cuka
27 Maj 2016•Përditësim: 27 Maj 2016
TIRANË (AA) – Gjatë operacionit ndërkombëtar zhvilluar nga bashkëpunimi i disa shteteve janë arrestuar në 31 persona prej të cilëve 12 në Shqipëri, dhe është sekuestruar një sasi e konsiderueshme lëndë narkotike e llojit kokainë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar me shërbimet policore të vendeve të Bashkimit Evropian dhe konkretisht Italisë, Gjermanisë dhe Spanjës, prej muajit shkurt të vitit 2014, ka vazhduar hetimi i përbashkët, sipas policisë, mbi dokumentimin e aktivitetit kriminal të një grupi me aktivitet në drejtim të trafikimit e shitjes së lëndëve narkotike, i përbërë nga shtetas me kombësi të ndryshme si shqiptarë, rumunë, tuniziane dhe marokenë.
“Aktiviteti kriminal i kësaj organizate zhvillohej kryesisht në zonën veriore të Italisë .Me qëllim kapjen dhe vënien përpara organeve të drejtësisë të elementëve të kësaj organizate, pas një plani të përbashkët ndërpolicor midis vendeve të lartpërmendura, me datë 24 maj 2016, Policia e Shtetit ka zhvilluar një operacion të përbashkët në të njëjtën hapësire kohore me partnerët tanë të shërbimeve policore të Italisë, Spanjës, Gjermanisë dhe Marokut”, u shpreh gjatë deklaratës për mediat, drejtori i Përgjithshëm për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit Shqiptar, Ardian Çipa.
Sipas policisë, në Shqipëri u ekzekutuan vendimet e arrestit ndërkombëtar në qytetet Tiranë, Durrës, Gramsh, Elbasan, Fier dhe Kavajë.
Policia ka sqaruar se veprimet hetimore ndaj këtij grupi kanë nisur pas sekuestrimit të 43 kilogramëve heroinë më 18 shkurt 2014 nga ana e policisë italiane në Milano.