Ekip
13 nëntor 2020•Përditësim: 14 nëntor 2020
Këshilli i Sigurimit i OKB-së unanimisht miratoi një rezolutë të enjten duke zgjatur mandatin e Misionit të Stabilizimit të OKB-së në Republikën e Afrikës Qendrore (MINUSCA) për një vit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Mandati i misionit do të zgjasë deri më 15 nëntor të vitit të ardhshëm dhe përparësitë e tij do të jenë mbrojtja e civilëve, mbështetja e përpjekjeve për paqe dhe përgatitja për zgjedhjet e ardhshme, thuhet në një deklaratë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Nivelet e trupave të MINUSCA-s do të mbeten të pandryshuara në 11.650 pjesëtarë të personelit ushtarak dhe 2.080 të personelit policor.
Objektivi i tij strategjik do të jetë krijimi i "kushteve politike, të sigurisë dhe institucionale të përshtatshme për të zvogëluar në mënyrë të qëndrueshme praninë e grupeve të armatosura dhe kërcënimin që ato paraqesin".
Në lidhje me zgjedhjet presidenciale, legjislative dhe lokale më 2020 dhe 2021, këshilli vendosi që misioni "do t'i japë përparësi ndihmës për autoritetet në vend për të inkurajuar dialog përfshirës midis të gjithë aktorëve politikë dhe për të zbutur tensionet gjatë gjithë periudhës zgjedhore".
Këshilli i Sigurimit i OKB-së u kërkoi autoriteteve në Republikën e Afrikës Qendrore dhe të gjithë aktorëve kombëtarë "për të siguruar që zgjedhjet të jenë të drejta, të lira, transparente dhe paqësore".
"Më tej, ai u bëri thirrje të gjithë aktorëve relevantë të angazhohen urgjentisht dhe në mënyrë konstruktive për të zbatuar Marrëveshjen Politike të vitit 2019 për Paqen dhe Pajtimin midis autoriteteve të Republikës së Afrikës Qendrore dhe 14 grupeve të armatosura, duke kërkuar që këta të fundit t'i japin fund shkeljeve të marrëveshjes”, thuhet në deklaratë.
Në shkurt 2019, qeveria e vendit nënshkroi një marrëveshje me disa grupe të armatosura që kontrollojnë pjesë të mëdha të vendit, duke u zotuar të integrojnë luftëtarët e disa grupeve në njësitë e reja të ushtrisë dhe udhëheqësit e tyre në qeveri.
Marrëveshja ka nxitur mbështetje ndërkombëtare, por dhuna vazhdon në provinca.
Vendi është përfshirë nga dhuna që kur rebelët Seleka dëbuan ish-presidentin Francois Bozize në vitin 2013, i cili u bë i njohur gjatë qeverisjes së ish-diktatorit Jean-Bedel Bokassa.
Dështimi i Bozize-s për të realizuar ndarjen e pushtetit, pasuar nga rizgjedhja e tij në zgjedhjet e diskutueshme të vitit 2011, çoi në ofensivë nga grupet rebele.
Presidenti i tanishëm Faustin-Archange Touadera, ish-kryeministër i cili ka qenë në detyrë që nga viti 2016, ka përsëritur vazhdimisht angazhimin e tij për ruajtjen e paqes.
Republika e Afrikës Qendrore, e cila fitoi pavarësinë nga Franca në vitin 1960, ka rezerva të pashfrytëzuara të pasura të arit, diamanteve dhe uraniumit.