Betül Yürük
18 Janar 2022•Përditësim: 19 Janar 2022
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha se besimi për një zgjidhje të negociuar mes palëve në Qipro është pakësuar, por që palët në mungesë të negociatave të plota duhet të vazhdojnë dialogun dhe afrimin për të "mbajtur gjallë shpresën e popullit", transmeton Anadolu Agency (AA).
Këshilli i Sigurimit të OKB-së diskutoi në një seancë të mbyllur raportin e Guterresit për Qipron dhe zgjatjen e afatit të misionit të Forcave Paqeruajtëse të OKB-së (UNFICYP) në ishullin e Qipros.
Guterres në raportin e tij që përfshin periudhën 19 korrik 2021 - 15 dhjetor 2021 ka theksuar se zhvillimet në politikën e brendshme të të dy palëve kanë shkaktuar probleme shtesë dhe se dy komunitetet janë më skeptikë për çdo përparim në zgjidhjen e problemit të Qipros.
"Disa hapa të ndërmarrë për Marashin e mbyllur ka shkaktuar thellimin e mosbesimit mes palëve dhe mes dy komuniteteve", tha Guterres duke shtuar se "Koha që kalon vazhdon të vështirësojë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme reciprokisht për problemin e Qipros".
Qëndrimet e palëve kanë filluar të "treten dhe të ndahen më shumë", potencoi Guterres, i cili u bëri thirrje të dy palëve që në mungesë të negociatave të plota të vazhdojnë dialogun dhe afrimin për të "mbajtur gjallë shpresën e popullit".
Ai rekomandoi që afati i misionit të Forcave Paqeruajtëse të OKB-së (UNFICYP) në Qipro të zgjatet deri më 31 korrik 2022.