Mustafa Keleş
22 Qershor 2017•Përditësim: 22 Qershor 2017
NEW YORK (AA) - Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka njoftuar se pritet që popullsia botërore të kalojë mbi 8,6 miliardë në vitin 2030, mbi 9,8 miliardë në vitin 2050 dhe mbi 11,2 miliardë në vitin 2100, raporton Anadolu Agency (AA).
OKB ka publikuar përditësimin për vitin 2017 të Raportit të Prospekteve mbi Popullsinë Botërore bazuar në trendet aktuale, sipas të cilit në botë aktualisht jetojnë të paktën 7,6 miliardë njerëz.
Sipas raportit, popullsisë botërore çdo vit i shtohen 83 milionë banorë. Sipas parashikimeve, pritet popullsia botërore do ta ruajë trendin e rritjes, ndërsa së bashku me këtë pritet të vazhdojë edhe ngadalësimi në shpejtësinë e rritjes.
Në raport parashihet se popullsia e Turqisë do të kalojë mbi 95 milionë në vitin 2050, kurse nga viti 2058 do të fillojë të zvogëlohet dhe do të bie në rreth 85 milionë banorë në vitin 2100.
Ndër parashikimet e tjera të rëndësishme në raport është se popullsia e Indisë prej 1,3 miliardë banorësh, në vitin 2024 do ta kalojë atë të Kinës, e cila aktualisht ka 1,4 miliardë banorë.
Po ashtu, supozohet se Nigeria, e cila aktualisht radhitet në vendin e shtatë, ndërsa popullsia e saj rritet me shpejtësinë më të madhe, do të jetë vendi i tretë më i populluar në botë.
Popullsia e 26 shteteve të Afrikës, supozohet të paktën të dyfishohet deri në vitin 2050.
Popullsia mbi moshën 60 vjeçare, e cila aktualisht në botë është 962 milionë, pritet që deri në vitin 2050 të rritet më shumë se dyfish, kurse deri në vitin 2100 më shumë se trefish, për t'u rritur kështu në 3,1 miliardë.
Ndërkohë, parashikimet flasin se popullsia mbi moshën 60 vjeçare e cila ende përbën 25 përqindëshin e popullsisë totale në Evropë, në vitin 2050 do të kalojë mbi 35 për qind.
Nga ana tjetër, shifra prej 137 milionësh e personave mbi moshën 80 vjeçare në mbarë botën pritet të trefishohet në vitin 2050, për të arritur në 425 milionë.