Bota

OKB: Platformat dixhitale krijojnë sfida të reja të punës

"Raporti thotë se platformat dixhitale të punës po krijojnë mundësi të reja pune duke siguruar marrëveshje fleksibile të punës për disa punëtorë, veçanërisht për gratë, personat me aftësi të kufizuara dhe për të rinjtë", tha Ryder

Ekip   | 23.02.2021
OKB: Platformat dixhitale krijojnë sfida të reja të punës Foto: AA/Arhiv

Gjenevë

Kreu i Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), Guy Ryder, ka deklaruar se platformat dixhitale të punës po krijojnë mundësi të reja të punës duke mundësuar punë fleksibile për disa, por se ato po ashtu po ndryshojnë mënyrën e organizimit që i bën punëtorët të luftojnë me pagën dhe sigurimet shoqërore, transmeton Anadolu Agency (AA).

ILO, organ i Kombeve të Bashkuara (OKB), lëshoi raportin e tij kryesor të titulluar "Punësimi botëror dhe pikëpamja sociale 2021", duke analizuar ndikimin e platformave dixhitale të punës te ndërmarrjet, punëtorët dhe te shoqëria në tërësi.

"Raporti thotë se platformat dixhitale të punës po krijojnë mundësi të reja pune duke siguruar marrëveshje fleksibile të punës për disa punëtorë, veçanërisht për gratë, personat me aftësi të kufizuara dhe për të rinjtë", tha Ryder.

Ai shtoi se ndryshimet globale po nxisin mundësi të reja biznesi, veçanërisht në vendet në zhvillim.

"Por këto platforma po ashtu po ndryshojnë vetë organizimin e punës, ato gjithnjë e më shumë po ri-përcaktojnë mënyrën se si vendosen marrëdhëniet ekonomike përmes teknologjisë midis punëtorëve dhe klientëve ose konsumatorëve", theksoi Ryder.

Sipas organit të OKB-së, mundësitë e reja të krijuara nga platforma dixhitale të punës mjegullojnë më tej dallimin e qartë të mëparshëm midis të punësuarve dhe të vetë-punësuarve.

"Algoritmat po ashtu përcaktojnë dhe ndryshojnë mënyrën se si punësohen dhe shpërblehen punëtorët, si dhe si paguhen ose shpërblehen bizneset", tha Ryder.

Sipas tij, ato mund të rezultojnë në praktika diskriminuese.

"Praktika e kontraktimit po ashtu po krijon ndërprerje të mëdha. Në shumë raste, puna jepet nga burimet e biznesit në veriun global dhe pastaj kryhet nga punëtorët në jugun global", tha ai.

Sipas raportit të ILO-s, pandemia COVID-19 ka përshpejtuar ndryshimet që tashmë ishin në proces, si në shoqëri ashtu edhe në punë.

"Punëtorët në platformat dixhitale të punës shpesh përpiqen të gjejnë punë të mjaftueshme të paguar për të fituar të ardhura të mira, duke krijuar një rrezik të varfërisë në punë", thotë raporti.

Shumë persona nuk kanë qasje në mbrojtje sociale, e cila është veçanërisht shqetësuese gjatë një pandemie, si dhe ata shpesh nuk janë në gjendje të përfshihen në negociatat kolektive që do t'i lejonin ata të adresonin këto dhe çështje të tjera.

"Ne besojmë se këto sfida duhet të adresohen. Për të vlerësuar ndikimin e mundshëm të platformave dixhitale të punës, na nevojiten vlerësime të sakta dhe të besueshme se si ato po transformojnë botën e punës", tha shefi i ILO-s.

ILO mbështetet në gjetjet nga anketat dhe intervistat e kryera me 12 mijë punëtorë dhe përfaqësues të 85 bizneseve në të gjithë botën.

"Dekada e kaluar ka parë një rritje pesëfish të numrit të platformave dixhitale të punës dhe ato janë përqendruar në disa vende, kryesisht në SHBA dhe në një masë më të vogël në Indi dhe Mbretëri të Bashkuar. Dhe kjo në vetvete ka krijuar ndarje dixhitale në rritje midis pjesëve të ndryshme të botës. Kjo është theksuar nga fakti se 96 për qind e të gjitha investimeve në këto platforma janë përqendruar në Amerikën e Veriut, Evropë dhe Azi", deklaroi Ryder.

Rreth 70 për qind e të ardhurave të gjeneruara nga platformat dixhitale të punës ose të ardhurat janë përqendruar në vetëm dy vende, në SHBA me 49 për qind dhe në Kinë me 22 për qind.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.