Bota

OKB: Operacioni ushtarak izraelit në Rafah do të ishte katastrofik

Duke theksuar se “pasojat e një operacioni tokësor në Rafah në rrethanat aktuale do të jenë katastrofike për popullin e Gazës, për palestinezët”, Dujarric po ashtu tha se “do të ishte katastrofike për situatën humanitare në terren”

Merve Gül Aydoğan Ağlarcı  | 15.03.2024 - Përdıtësım : 15.03.2024
OKB: Operacioni ushtarak izraelit në Rafah do të ishte katastrofik Foto: AA/Arkiv

Toronto

Kombet e Bashkuara (OKB) kanë shprehur shqetësime lidhur me raportet se Izraeli autorizoi planet për një operacion ushtarak në qytetin Rafah në Rripin e Gazës jugore, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, në një konferencë për media tha se i kanë parë “këto raporte të medias” dhe ato janë “jashtëzakonisht shqetësuese”.

Duke theksuar se “pasojat e një operacioni tokësor në Rafah në rrethanat aktuale do të jenë katastrofike për popullin e Gazës, për palestinezët”, Dujarric po ashtu tha se “do të ishte katastrofike për situatën humanitare në terren”.

Ai kërkoi që “të shmanget” një lëvizje e tillë në Rafah, një qytet ku qindra mijëra palestinezë po strehohen, të nxitur nga sugjerimet se do të ishte një zonë e sigurt. Ai shtoi se “negociatat ende janë duke vazhduar”.

Dujarric ka kërkuar që të gjitha palët e përfshira t’i japin përparësi një armëpushimi, duke theksuar nevojën kritike për qasje humanitare dhe për lirimin e pengjeve. Ai theksoi urgjencën për të gjetur një zgjidhje për dhunën që ka rrënuar rajonin.

I pyetur për ndikimin e një operacioni të mundshëm ushtarak në Rafah, Dujarric tha se “një ndikim negativ në operacionet humanitare” do të vërehej menjëherë.

“Dua të them, tashmë është mjaft e ndërlikuar për ta bërë atë që përpiqemi ta bëjmë në mjedisin aktual”, u shpreh ai.

Disa vende kanë paralajmëruar Izraelin kundër një operacioni ushtarak në Rafah, sipas raporteve ndërkombëtare një qytet që strehon mbi 1.4 milionë palestinezë.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë vdekjeprurëse ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit i udhëhequr nga Hamasi, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz.

Të paktën 31.490 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë në Gaza dhe 73.439 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave.

Izraeli gjithashtu ka vendosur një bllokadë në enklavën palestineze, duke e lënë në prag të urisë popullsinë e saj, veçanërisht banorët e Gazës veriore.

Lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes një bllokade të ushqimeve, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vend të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.