Politikë, Bota

OKB: Numri i viktimave civile në Ukrainë tashmë e ka tejkaluar totalin e vitit 2024

"Në Kiev, numri i viktimave civile gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2025 ishte pothuajse 3.8 herë më i lartë se në gjithë vitin 2024", tha një zyrtare e OKB-së

Merve Gül Aydoğan Ağlarcı  | 21.11.2025 - Përdıtësım : 21.11.2025
OKB: Numri i viktimave civile në Ukrainë tashmë e ka tejkaluar totalin e vitit 2024

Ontario

Kombet e Bashkuara paralajmëruan se numri i viktimave civile në Ukrainë tashmë ka tejkaluar totalin e vitit 2024, për shkak të intensifikimit të sulmeve ajrore ruse, ndërprerjeve të rënda të energjisë elektrike dhe përkeqësimit të situatës humanitare në gjithë vendin, transmeton Anadolu.

“Civilët ukrainas vazhdojnë të mbajnë peshën kryesore të fushatës së përshkallëzuar ajrore të Federatës Ruse”, tha para Këshillit të Sigurimit, Kayoko Gotoh, zyrtare e OKB-së për Evropën, Azinë Qendrore dhe Amerikën.

Ajo theksoi se goditjet e shtuara ndaj infrastrukturës energjetike kanë shkaktuar “mungesa të gjera dhe të zgjatura të energjisë në shumicën e rajoneve, duke i lënë miliona njerëz pa ngrohje, ujë apo transport publik, teksa temperaturat janë duke rënë ndjeshëm”.

Duke vënë theksin tek ritmi alarmant i viktimave, Gotoh tha: “Jemi të shqetësuar për rritjen e theksuar të numrit të civilëve të vrarë dhe të plagosur në Ukrainë, me bilancin e përgjithshëm nga janari në tetor 2025 që tashmë e ka kaluar krejtësisht totalin e vitit të kaluar”.

“Në Kiev, numri i viktimave civile gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2025 ishte pothuajse 3.8 herë më i lartë se në gjithë vitin 2024”, shtoi ajo. Duke iu referuar të dhënave të Zyrës së Komisarit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), Gotoh tha se që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë në shkurt 2022, “14.534 civilë ukrainas, përfshirë 745 fëmijë, janë vrarë, ndërsa 38.472 të tjerë, mes tyre 2.375 fëmijë, janë plagosur”.

Ajo theksoi se konflikti po shkakton viktima edhe në territorin rus, duke thënë se “sipas autoriteteve ruse, gjatë vitit 2025 sulmet me dronë nga Ukraina kanë vrarë 392 persona, përfshirë 22 fëmijë, në Federatën Ruse dhe në zonat e Ukrainës të pushtuara nga Rusia”.

Gotoh përsëriti se “sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile janë të ndaluara nga e drejta humanitare ndërkombëtare. Ato janë të papranueshme, kudo që ndodhin, dhe duhet të ndalen menjëherë”.

Duke paralajmëruar për rreziqet ndaj centraleve bërthamore, ajo tha se muajt e fundit kanë treguar se “sa e brishtë është siguria bërthamore gjatë një lufte aktive”, duke u bërë thirrje palëve të veprojnë me përgjegjësi dhe duke e vlerësuar punën e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA).

Çdo incident bërthamor, shtoi ajo, do të kishte “pasoja të paimagjinueshme jo vetëm për Ukrainën dhe Rusinë, por përtej tyre”. Gotoh kërkoi vazhdimin e angazhimit diplomatik, duke mirëpritur shkëmbimet e vazhdueshme të të burgosurve.

Edem Wosornu, drejtore e Divizionit të Operacioneve dhe Avokatisë në Zyrën e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), duke folur në emër të Koordinatorit të Ndihmës Emergjente Tom Fletcher, paralajmëroi se kushtet humanitare po përkeqësohen me ritme të shpejta në prag të dimrit.

“Me nisjen e temperaturave të acarta, frika, lodhja dhe sulmet e përsëritura po e rëndojnë edhe më shumë situatën në gjithë vendin. Ndërprerjet e energjisë po bëhen më të shpeshta, duke i lënë familjet pa ngrohje dhe ujë të sigurt, gjërat më elementare për mbijetesë”, tha ajo.

Sipas Wosornu, “rreth 3.7 milionë njerëz janë të zhvendosur brenda Ukrainës dhe gati 6 milionë janë refugjatë”, ndërsa 122 mijë persona janë zhvendosur vetëm këtë vit, kryesisht gra, fëmijë dhe të moshuar, të cilët shpesh janë detyruar të lëvizin disa herë.

Ajo tha se punonjësit e ndihmës operojnë “nën kërcënim të vazhdueshëm të bombardimeve, qasje të kufizuar, infrastrukturë të dëmtuar dhe kushte të paparashikueshme sigurie”. Qasja në territoret e pushtuara nga Rusia mbetet “jashtëzakonisht e kufizuar”, shtoi ajo duke theksuar se boshllëqet e financimit ende janë të mëdha.

“Nga 2.63 miliardë dollarët e nevojshëm për Planin e Ndihmës Humanitare 2025, vetëm 46 për qind janë siguruar; komponenti i dimrit është i mbuluar 65 për qind”, tha ajo. “Qasja humanitare në disa zona të vijës së frontit po ngushtohet gjithashtu”, paralajmëroi Wosornu duke u bërë thirrje donatorëve të vazhdojnë mbështetjen, meqë nevojat pritet të rriten ndërsa dimri ashpërson kushtet.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.