Ekip
31 tetor 2017•Përditësim: 31 tetor 2017
YANGON (AA) – Kombet e Bashkuara të martën emëruan norvegjezin Knut Ostby, koordinator të ri të përkohshëm rezident në Mianmar, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit të publikuar nga zyra e koordinatorit të të OKB-së në Yangon, Knut Ostby i cili ka përvojë në sferën e zhvillimit të të drejtave të njeriut dhe çështjeve humanitare, do të zëvendësojë Renata Lok-Dessallien.
Lok-Dessallien, e cila pesë vite ishte koordinatore e OKB-së në Mianmar, akuzohet se ka tentuar të pengojë zgjidhjen e drejtë të problemit të muslimanëve të Arakanit. Burime të OKB-së theksojnë se nga 25 gushti i këtij viti 607.000 Rohingya u larguan nga shteti Rakhine i Mianmarit për në Bangladesh.
Refugjatët ikin për shkak të operacioneve ushtarake, ku forcat e sigurisë dhe shumica budiste vrasin fëmijë, gra dhe burra, plaçkitin shtëpi dhe djegin fshatra ku jetojnë muslimanët Rohingya.
Sipas të dhënave të Abul Hasan Mahmood Ali, ministrit të Punëve të Jashtme të Bangladeshit deri tani janë vrarë rreth 3.000 muslimanë Rohingya. Muslimanët Rohingya, për të cilët OKB thekson se është pakica më e rrezikuar në botë, përballen me frikë në rritje që nga sulmet në vitin 2012 kur qindra persona u vranë.
“Ostby ka qenë koordinator i përhershëm i Kombeve të Bashkuara më gjatë se 11 vite, përfshirë edhe Timorin Lindor. Para kësaj, ka qenë koordinator i OKB-së në Fixhi dhe në nëntë vende tjera të Paqësorit, ndërsa përpara edhe në Iran”, thuhet në njoftimin e OKB-së. Përveç vendeve të lartpërmendura, gjatë karrierës së tij në OKB ka pasur pozitë udhëheqëse në Afganistan, Malajzi, Kazakistan, Pakistan dhe në vende të tjera.