Bayram Altuğ,Muhammed Shekh Yusuf,Fatih Erel
30 Nëntor 2017•Përditësim: 30 Nëntor 2017
GJENEVË (AA) – Këshilltari i Përfaqësuesit Special të Kombeve të Bashkuara (OKB) për Sirinë Staffan de Mistura, Jan Egeland, lidhur me shkeljen e armëpushimit në Gutën Lindore nga regjimi i Asadit tha se, “Civilët duhet të mbrohen dhe të sigurohet qetësia për dërgimin e ndihmave humanitare në Gutën Lindore”, raporton Anadolu Agency (AA).
Egeland, në një konferencë për media në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, tha se vetëm gjatë muajit të kaluar 440 mijë njerëz janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës së brendshme në Siri dhe se ky numër gjatë këtij viti në gjithë shtetin ka arritur në 1.8 milionë civilë.
Ai tha se civilët nuk kanë ndonjë alternativë tjetër për të shpëtuar nga bombardimet dhe përleshjet, përveç asaj të largimit nga shtëpitë e tyre.
“Kemi ofruar ndihmë humanitare vetëm për 10 për qind të civilëve"
Egeland tha se: “Këtë vit në Siri rreth 7 mijë persona në ditë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Në krahasim me vitet e kaluara, këtë vit ka një rritje në numrin e kthimit të personave në shtëpitë e tyre. Edhe 2.500 persona në ditë u kthyen në shtëpitë e tyre”.
Ai tha se çdo muaj kanë arritur të ofrojnë ndihma humanitare për vetëm 10 për qind të qindra mijëra refugjatëve të cilët ndodhen nën rrethim.
“Rajonet e bllokuara janë të rrethuara ushtarakisht. Në parim, ne duhet të kemi qasje në 100 për qind të tyre. Ndoshta kjo nuk është reale, ne duhet të arrijmë në më shumë se 50 për qind të civilëve, por nuk e arritëm këtë”, tha Egeland.
“Heshtje para stuhisë”
Egeland e vlerësoi si “heshtje para stuhisë” gjendjen njerëzore në Gutën Lindore, ku po vazhdojnë sulmet e regjimit.
Duke rikujtuar se 400 mijë civilë në Gutën Lindore ndodhen ende nën rrethim, Egeland tha se në dy muajt e fundit OKB-ja ka arritur të ofrojë ndihma humanitare vetëm për 68 mijë prej tyre.
Ai paralajmëroi se qindra të sëmurë në Gutën Lindore, shumica e të cilëve janë fëmijë, do të humbin jetën në qoftë se nuk evakuohen. Sipas tij, OKB-ja mund të realizojë evakuimin në qoftë se regjimi e lejon këtë.
“Duhet të sigurohet qetësia dhe mbrojtja e civilëve”
Egeland, të cilit iu rikujtua se regjimi i Asadit ka shkelur armëpushimin në zonën e deeskalimit të Gutës Lindore, tha se: “Për ofrimin e ndihmave humanitare në Gutën Lindore duhet të sigurohet qetësia dhe mbrojtja e civilëve. Për momentin asnjëra nuk janë prezente”.
Në vazhdim bëri të ditur se më 27 nëntor autokolona e OKB-së, e cila duhej të arrinte në Gutën Lindore, është ndaluar për shkak të sulmeve me artileri dhe mortajë. Egeland tha se në zonën e deeskalimit ka shumë tensione.
Regjimi ka shkelur armëpushimin
Guta Lindore e cila që prej 5 vitesh është nën rrethim ishte shpallur si një nga "zonat jokonfliktuale" në kuadër të marrëveshjeve në Astana, ndërsa më 22 korrik u bë e ditur hyrja e armëpushimit në fuqi. Mirëpo, përkundër armëpushimit regjimi i Asadit ka vazhduar sulmet.
Përfaqësuesi Special i Kombeve të Bashkuara (OKB) për Sirinë, Staffan de Mistura, të martën tha se regjimi e ka pranuar propozimin e Rusisë për armëpushim në Gutën Lindore. Ende pa kaluar një ditë, me fillimin e bisedimeve në Gjenevë, regjimi i Bashar al-Asadit në Siri shkeli armëpushimin duke kryer sulme me artileri dhe mortaja.