Ekip
08 Shkurt 2016•Përditësim: 09 Shkurt 2016
WASHINGTON (AA) - Presidenti amerikan Barack Obama tha se ai do të dëshironte që në Shtëpinë e Bardhë të përmirësohet sistemi WiFi, duke pohuar se lidhja e dobët e internetit në atë ndërtesë është "çështje serioze", raporton Anadolu Agency (AA).
Obama në një intervistë për kanalin televiziv amerikan CBS (Columbia Broadcasting System) ka thënë se në Shtëpinë e Bardhë ka mjaft "pika të vdekura ku WiFi nuk punon aspak".
Duke u ankuar për sinjalin e internetit wireless, Obama tha se vajzat e tij Malia dhe Sasha, për shkak të sinjalit të dobët të internetit "ndonjëherë irritohen".
Presidenti amerikan tha se Shtëpia e Bardhë është "ndërtesë e vjetër", dhe bëri thirrje për përmirësimin e sistemit WiFi për ata që do ta trashëgojnë në pozicionin presidencial.