Muhammet Tarhan
08 Dhjetor 2020•Përditësim: 09 Dhjetor 2020
Ministri hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Peter Szijjarto, tha se siguria e Evropës është në mënyrë të konsiderueshme në dorën e Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Szijjarto, pas takimit në Ankara me homologun e tij turk, Mevlüt Çavuşoğlu, në ministri zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp, ku ai vuri në dukje se Bashkimi Evropian (BE) duhet ta falënderojë shumë Turqinë.
"Turqia strehon 4 milionë emigrantë. Nëse Turqia nuk e bën këtë, qindra mijëra emigrantë të parregullt përmes Ballkanit do të vërehen në formën masive në kufijtë jugorë të Hungarisë. Vendi ynë mbron kufijtë e tij dhe për këtë kemi vendosur tela dhe ushtarët kryejnë detyrën", tha Szijjarto, i cili shtoi se është më mirë që të mos përballen me një situatë të tillë në kufirin jugor të vendit.
Szijjarto vuri në dukje që bashkëpunimi ndërkombëtar duhet të kontribuojë që gjithkush të jetë i lumtur në shtëpinë e tij. Ai tërhoqi vëmendjen se me mbështetjen ndërkombëtare duhet të parandalohen valët e reja të migracionit dhe duhet të ndihmojnë që të gjithë të kthehen në shtëpitë e tyre.
Pasi vuri në dukje se kjo ka edhe dimensionet e sigurisë dhe ekonomisë, kryediplomati hungarez tha që "U pëlqen apo jo siguria e Evropës është në mënyrë të konsiderueshme në dorën e Turqisë".
Duke deklaruar se e gjejnë të drejtë që të paguhet mbështetja prej 6 miliardë euro që BE ka premtuar për të mbështetur refugjatët sirianë në Turqi, ai informoi se një pjesë e kësaj është paguar por që kjo nuk është 6 miliardë euro.
BE-ja duhet të përmbushë angazhimet në mënyrë që Turqia të mbajë emigrantët, vuri në dukje Szijjarto, i cili tha se "Evropa nuk duhet të rrezikojë sigurinë e saj dhe se duhet t‘i përmbahet angazhimeve që ka marrë përsipër me marrëveshjen".