Bekim Laci
14 Qershor 2016•Përditësim: 14 Qershor 2016
PRISHTINË (AA) - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka marrë një mesazh urimi për postin e tij nga ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës, në telegramin e urimit të homologut turk vlerësohet angazhimi dhe përkushtimi i ministrit Hoxhaj në marrjen e përgjegjësive të reja drejt fuqizimit të pozitës së merituar të Kosovës në botë.
Ministri Çavuşoğlu vlerëson se politika e jashtme e udhëhequr nga ministri Hoxhaj do të kontribuojë edhe në përpjekjet rajonale të normalizimit, por edhe për avancimin e procesit të dialogut Prishtinë – Beograd, me synim të arritjes së një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, e cila sipas tij do të jetë në dobi të të gjithë popullit në Kosovë dhe stabilitetit të përhershëm të të gjithë rajonit.
Ministri turk gjithashtu ka shtuar se Turqia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në përpjekjet drejt një të ardhme të ndritshme si një anëtare e shquar e familjes evropiane.