Sinan Polat,Mehmet Yılmaz
09 shkurt 2016•Përditësim: 10 shkurt 2016
BUDAPEST (AA) - Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë Mevlut Çavushoglu theksoi se në rast se Rusia vazhdon sulmet e saj në Siri numri i njerëzve të cilët i braktisin shtëpitë e tyre mund të arrijë në qindra mijëra, ndërsa që të mos thellohet ky problem Rusia duhet ti ndalë sulmet e saj, raporton Anadolu Agency (AA).
Çavushoglu po qëndron në Hungari për vizitë zyrtare me ftesë të homologut të tij hungarez Peter Szijjarto, kurse pas takimit mes delegacioneve organizuan konferencë për mediat.
Ai theksoi se në takim është biseduar mbi marrëdhëniet bilaterale në të gjitha dimensionet e saj. Çavushoglu tha se kanë për qëllim që këmbimin tregtar mes dy vendeve ta rrisin në 5 miliardë dollarë dhe për të arritur sukses në këtë vazhdojnë punimet.
Çavushoglu theksoi se në takim gjithashtu është biseduar edhe për marrëdhëniet kulturore. Ai falënderoi qeverinë hungareze për mbështetjen e saj ndaj Agjencisë Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA) dhe Institutit Junus Emre.
- Kriza e azilkërkuesve
Shefi i diplomacisë turke thotë se migrimi dhe terrorizmi janë dy çështje të rëndësishme për rajonin. Sipas tij, më parë sirianët kanë ikur nga persekutimi i qeverisjes së Asadit, kurse tani i janë shtuar edhe sulmet e Rusisë. Ai duke kujtuar se më shumë se 50 mijë persona kanë arritur në kufirin e tyre për shkak të sulmeve të Rusisë në periudhën e fundit, tha se 10 mijë prej këtyre janë pranuar brenda, për një pjesë tjetër kanë ngritur kamp në anën tjetër të kufirit, dhe ata të cilët duan të shkojnë Turqi i pranojnë në mënyrë të kontrolluar.
"Në rast se vazhdojnë këto sulme ky numër mund të arrijë në qindra mijëra, bile mund ta kalojë shifrën prej 1 milion", tha Çavushoglu.
Ai tha se Rusia me arsyetimin se do të luftojë me DAESH-in e ka marrë mbështetjen e 65 shteteve duke shënjestruar opozitën siriane e cila shihet si legjitime nga 114 shtete. Sipas tij, vetëm 12 përqind e sulmeve ruse janë drejtuar kundër DAESH-it ndërsa pjesa tjetër kundër opozitarëve. "Rusia menjëherë duhet ti ndalojë këto sulme. Rusia po e thellon problemin në terren", tha ai.