Sibel Vezaj
20 Qershor 2016•Përditësim: 21 Qershor 2016
PRISHTINË (AA)- Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Refugjatëve organizata Humanitare Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), misioni në Kosovë, organizoi programin ku u paraqiten filmat që tregojnë refugjatët të cilët kanë qenë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).
Shefi i misionit të UNHCR-së në Kosovë, Narasim Raom u shpreh se në vitet e fundit numri i refugjatëve ka arritur në një numër historik, me rreth 65 milionë. Ai shtoi se institucionet në Kosovës kanë shprehur gatishmërinë që t’i pranojë refugjatët me qëllim që ta ndajnë barrën me shtetet e tjera.
“Liderët në Botë nuk mund të shohin më si neutrale dhe normale atë çfarë po ndodh. Ju keni parë në televizione se sa njerëz mundohen t’i tejkalojnë kufijtë dhe ujërat, dhe të gjitha vështirësitë që i tejkalojnë, por ne nuk mund të qëndrojmë vetëm si spektatorë. Ne duhet të gjejmë mjete humane dhe , për t’i ndihmuar ata që ta arrijnë sigurinë”, u shpreh Raom.
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtich u shpreh se Kosova ka ende një numër të madh të të zhvendosurve të cilët jetojnë në qendra kolektive.
“Ne jemi dëshmitarë se çfarë ka ndodhur këtu para 17 vitesh dhe e dimë se ende ka njerëz që nuk janë në shtëpitë e tyre. Ne sot, këtu në Prishtinë duhet ta përkujtojmë dhimbjen dhe vuajtjet e tyre. Unë dje më një grup të zhvendosurve isha në Mushtisht, në komunën e Suharekës dhe atë çfarë kemi parë nuk është një gjë që duam ta shohim, ato janë lotët e këtyre njerëzve për shkak të pamundësisë për të qenë në shtëpi”, u shpreh Jevtich.
Ministri Jevtich shtoi se kjo çështje duhet diskutohet jo vetëm 20 qershor por kurdo që të ketë mundësi dhe iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve të që Kosovës që të ndihmojnë në kthimin e refugjatëve.
Ambasadori norvegjez në Kosovë, Jan Braathu në fjalimin e tij u shpreh se kjo nuk është vetëm një çështje evropiane por është një çështje globale. Ai duke e pasqyruar raportin e UNHCR-së për refugjatët u shpreh se 65.3 milionë njerëz janë regjistruar si persona të zhvendosur me dhunë në vitin 2015.
“Janë më shumë njerëz që jetojnë në Norvegji dhe në Kosovë së bashku. Pra është koha për mendim dhe reflektim. Dy milionë kërkesa për azil në vitin 2015, ku 42 mijë e tyre ka qenë për në Gjermani dhe rreth 34 persona zhvendosen çdo ditë dhe këto të dhëna janë shqetësuese”, u shpreh Braathu.
Pas fjalimeve, u shfaqën disa dokumentarë të zgjedhur ku refugjatët paraqiten si njerëz të zakonshëm, por që jetojnë në rrethana të jashtëzakonshme.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në dhjetor të vitit 2000 vendosi që 20 Qershori të shënohet si Dita Botërore e Refugjatëve, dhe shënimi i parë i kësaj dite ishte në vitin 2001, i cili ishte përvjetori i 50-të i Konventës së Refugjatëve.