Turgut Alp Boyraz
23 Mars 2017•Përditësim: 24 Mars 2017
JERUSALEM (AA) – Në ceremoninë solemne në kishën e Varrit të Shenjtë në Jerusalem dje pas nëntë muajsh të restaurimit është zbuluar varri, në të cilin, sipas besimit të krishterë, është varrosur Jezu Krishti, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë e zbulimit të varrit, konstruksioni i të cilit nga mermeri sërish ka ngjyrë origjinale okër, morën pjesë shumë krerë fetarë të krishterë dhe mysafirë tjerë. Patriarku Ortodoks i Jerusalemit Theofil i Tretë me këtë rast të pranishmëve u tha se kjo është dhuratë për mbarë botën.
Ekipi grek për restaurim, i përbërë nga arkeologët dhe ekspertë të tjerë, me sukses përfundoi punët e restaurimit të cilin e filluan në maj të vitit 2016. Restaurimi kushtoi rreth tre milionë euro. Konstruksioni nga mermeri dhe guri gëlqeror qëndron në Tempullin e Ringjallja e Krishtit nga shekulli i 12-të, në mbetjet e shekullit të 4-të.
Varrit i duhej, siç theksuan prijësit fetarë, rinovim i nevojshëm, sepse me kalimin e viteve ka qenë i ekspozuar ndaj faktorëve siç janë shiu, lagështia dhe tymi.
Projektin e restaurimit e financuan tre denominacione të cilat bashkarisht menaxhojnë me kishën, romë-katolike, greke-ortodokse dhe armene. Në mesin e të pranishmëve ishin edhe kryeministri grek Alexis Tsipras, ministri i Punëve të Jashtme i Armenisë Eduard Nalbandyan, ministri i Punëve të Brendshme të Jordanisë Ghalib el-Zuabi dhe përfaqësuesit e korit diplomatik.