Bota

Në Azerbajxhan vazhdojnë punimet për "Kthimin e Madh" në Karabak

Qeveria e Azerbajxhanit pret që investitorët e vendeve mike dhe vëllazërore, veçanërisht ndërmarrjet turke, të marrin pjesë në zhvillimin e rajoneve të çliruara nga pushtimi

Ruslan Rehimov  | 02.03.2021 - Përdıtësım : 02.03.2021
Në Azerbajxhan vazhdojnë punimet për "Kthimin e Madh" në Karabak

Baku

Në Azerbajxhan po bëhen përpjekje për rindërtimin e rajoneve të çliruara nga pushtimi dhe për kthimin e njerëzve që kanë qenë të ndarë nga atdheu i tyre për gati 30 vjet, raporton Anadolu Agency (AA).

Azerbajxhani i cili çliroi tokat e tij nga pushtimi i Armenisë gjatë luftës 44-ditore mes 27 shtator-10 nëntor 2020, me udhëzimet dhe mbikëqyrjen e presidentit, Ilham Aliyev është duke i kryer aktivitetet për "Kthimin e Madh", i cili është procesi i kthimit të emigrantëve në atdheun e tyre.

Të paktën 2.2 miliardë manat (1.29 miliardë dollarë) u ndanë nga buxheti i shtetit për vitin 2021 për zhvillimin e rajoneve të çliruara nga pushtimi. Nëse kjo shumë nuk është e mjaftueshme, shteti do të akordojë fonde shtesë.

Qeveria azerbajxhanase, e cila filloi së pari aktivitetet e saj duke pastruar minat e vendosura nga forcat armene gjatë periudhës së okupimit, njëkohësisht filloi projektet e para të infrastrukturës në rajon.

Projekti i parë ishte ndërtimi i dy rrugëve të reja për në qytetin Shusha, i cili është shpallur "kryeqyteti kulturor" i vendit. Një nga rrugët në të cilat edhe ndërmarrjet turke janë të përfshira në punime është planifikuar të jetë plotësisht e gatshme deri në vjeshtë.

Punimet në rrugë u pasuan nga fillimi i ndërtimit të aeroportit ndërkombëtar në qytetin Fuzuli. Ndërsa parashikohet që aeroporti, i cili është ndërtuar për t'u përdorur nga të gjitha llojet e avionëve, përfshirë avionët më të rëndë të ngarkesave, të jetë gati deri në vjeshtë.

Azerbajxhani nuk mjaftohet vetëm me Fuzulin. Në periudhën e ardhshme do të ndërtojë aeroporte në Lachin dhe Zangilan, të çliruara nga pushtimi. Gjithashtu në planet e Qeverisë së Azerbajxhanit është edhe shndërrimi i qytetit Zengilan i cili ndodhet në kufi me Armeninë në qendër logjistike të rajonit.

Fshati Agali në Zengilan do të jetë fshati i parë në rajon i cili do të përfundojë rindërtimin. Fshati Agali, themeli i të cilit u hodh si një projekt pilot, do të ndërtohet me konceptin "Fshati i mençur". Në fshat do të vendosen përafërsisht 1.000 persona ndërsa planifikohet të përfundojë deri në fund të vitit.

Mbi bazën e qytetit, Qeveria e Azerbajxhanit planifikon fillimisht të rindërtojë qytetin Aghdam. Aghdami i cili u kthye në një "qytet fantazmë" pasi u shkatërrua dhe u plaçkit nga forcat armene gjatë periudhës së okupimit, pas afro 3 vitesh do të jetë një qytet modern ku do të jetojnë më shumë se 50 mijë banorë.

Qeveria e vendit do të bëjë investime për ta bërë rajonin një zonë "energjie të gjelbër". Në këtë kontekst, termocentralet e erës do të ndërtohen në qytetet Kalbajar dhe Lachin ndërsa termocentralet diellore do të ndërtohen në Zengilan dhe Jabrayil.

Qeveria e Azerbajxhanit pret që investitorët e vendeve mike dhe vëllazërore, veçanërisht ndërmarrjet turke, të marrin pjesë në zhvillimin e rajoneve të çliruara nga pushtimi.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.