Zehra Ulucak
04 Maj 2020•Përditësim: 04 Maj 2020
Në Zelandën e Re për herë të parë që nga mesi i marsit nuk konfirmohet asnjë rast me koronavirus të ri (COVID-19) në 24 orët e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të New Zealand Herald, në vend për herë të parë pas rreth 50 ditësh nuk është konfirmuar asnjë rast.
Drejtori i Përgjithshëm i Shëndetësisë i Zelandës së Re, Dr. Ashley Bloomfield, tha se nuk është konfirmuar asnjë rast me COVID-19, duke treguar se numri i rasteve të konfirmuara dhe atyre të dyshuar është i njëjtë me dje.
"Është shumë e rëndësishme që të ruajmë disiplinën dhe të jemi vigjilent ndaj kësaj çështje", tha Bloomfield.
Në Zelandën e Re deri më tani janë konfirmuar 1.487 raste, prej të cilëve 20 kanë humbur jetën dhe 1.276 janë shëruar.
Kryeministrja e vendit, Jacinda Ardern, më 27 prill kishte njoftuar se vendi i saj ka "fituar" betejën ndaj COVID-19
- Kina nuk regjistroi asnjë vdekje në 24 orët e fundit
Sipas njoftimit të Komisionit Kombëtar Kinez të Shëndetësisë, në 24 orët e fundit janë konfirmuar vetëm 3 raste, të cilat janë me burim nga jashtë, ndërsa nuk ka humbur jetën asnjë person.
Numri i rasteve në Kinë është rritur në 82.880, kurse deri më tani kanë humbur jetën 4.633 dhe janë shëruar 77.766 persona.