Bota

"Nuk ka pauzë në operacionet kundër talebanëve"

Qeveria e Afganistanit dhe zyrtarët ushtarakë amerikanë mohojnë raportet për kufizim të operacioneve luftarake kundër talebanëve

Syed İftikhar Gilani  | 13.08.2019 - Përdıtësım : 14.08.2019
"Nuk ka pauzë në operacionet kundër talebanëve"

Kabul

Qeveria e Afganistanit e udhëhequr nga presidenti Ashraf Ghani dha zyrtarët ushtarakë amerikanë kanë mohuar raportet se është urdhëruar që personeli amerikan të kufizojë pothuajse të gjitha operacionet luftarake sulmuese kundër talebanëve.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), zëdhënësi i presidencës, Sediq Seddiqi, tha se këto raporte nuk ishin të vërteta. Mirëpo, ai pranoi se para raundit të tetë të bisedimeve mes SHBA-ve dhe talebanëve, negociuesi amerikan për paqe, Zalmay Khalilzad, ishte njoftuar për disa detaje nga procesi i paqes në Kabul.

Por, ai theksoi se nuk është shpërndarë ndonjë propozim-marrëveshje.

Zëdhënësi i forcave amerikane në Afganistan (USFOR-A), koloneli Sonny Leggett, gjithashtu mohoi raportet për ndalimin e operacioneve kundër talebanëve. "Ky lajm (në Newsweek) është i pasaktë dhe spekulues, duke cituar burime pa emër, të cilët me sa duket janë larg temës aq sa janë larg edhe Afganistanit", tha ai. Zyrtari ushtarak shtoi se nuk kishte urdhra të tilla.

"Karakterizimet e ndryshimeve në autoritetet dhe operacionet tona në fakt nuk kanë bazë. Ne nuk kemi urdhra të tillë dhe nuk kemi bërë ndryshime të tilla", tha ai.

Raundi i tetë i bisedimeve mes SHBA-ve dhe talebanëve përfundoi të hënën në Doha, kryeqytetin e Katarit. Pa dhënë detaje shtesë, zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahed, nëpërmjet mediave sociale informoi se të dyja palët janë pajtuar që të konsultojnë udhëheqësitë përkatëse për hapin e radhës.

Disa raportime lokale dhe ndërkombëtare në ditët e fundit po pretendojnë se administrata e presidentit Trump po propozon të shkurtojë forcat amerikane në Afganistan në 6.000, pothuajse t'i përgjysmojë, për të hapur rrugën për përfundimin e marrëveshjes me talebanët.

Rrjeti lokal i radios Salam Afghanistan javën e kaluar raportoi se SHBA kishte shpërndarë një propozim-marrëveshje me qeverinë e Afganistanit. Kjo media gjithashtu pretendonte se SHBA do të tërhiqte 6.000 trupa në një periudhë prej katër muaj e gjysmë. Ajo gjithashtu pretendonte se talebanët janë pajtuar që të mos i sulmojnë trupat amerikane. Gjithashtu, qeveria e Afganistanit do të lirojë 5.000 deri në 10.000 talebanë të burgosur brenda dy javëve.

Duke cituar zyrtarë të lartë të Pentagonit, revista javore amerikane Newsweek gjithashtu raportoi se personeli amerikan është urdhëruar që të ndërpresë së këshilluari forcat e Mbrojtjes Kombëtare dhe Forcat e Sigurisë së Afganistanit.

Sipas të dhënave që Departamenti i Mbrojtjes ia dha në mars Inspektorit të Përgjithshëm për Rindërtimin të Afganistanit, një autoritet mbikëqyrës mandatuar nga Kongresi, nga gjithsej 14.000 trupa amerikane në Afganistan, 8.475 janë caktuar në misionin e Mbështetjes e Vendosur të drejtuar nga NATO "për të trajnuar, këshilluar dhe ndihmuar forcat afgane të sigurisë".

Personeli i mbetur ushtarak amerikan shërben në role mbështetëse ose në kryerjen e operacioneve ajrore, trajnimin e Forcave Speciale Afgane dhe kryerjen e operacioneve kundër-terroriste.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın