Riyaz Khaliq Khaliq
27 shkurt 2023•Përditësim: 28 shkurt 2023
Një aeroplan amerikan i patrullimit dhe zbulimit të marinës kaloi përmes ngushticës së Tajvanit, transmeton Anadolu.
"Aeroplani P-8A Poseidon i marinës amerikane kaloi përmes ngushticës së Tajvanit në hapësirën ajrore ndërkombëtare më 27 shkurt 2023 (sipas kohës lokale)", thuhet në deklaratën e Komandës së Flotës së 7-të të SHBA-së.
Deklarata shton se SHBA-ja "do të vazhdojë të fluturojë, lundrojë dhe operojë kudo që lejon ligji ndërkombëtar, përfshirë edhe ngushticën e Tajvanit".
"Duke operuar brenda ngushticës së Tajvanit në përputhje me ligjin ndërkombëtar, SHBA-ja mbështet të drejtat dhe liritë e lundrimit të të gjitha kombeve", theksoi komanda.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se katër avionë kinezë dhe tre anije detare u zbuluan rreth vendit ishullor.
Forcat e armatosura të ishullit "monitoruan situatën dhe angazhuan avionët CAP (avionët luftarak të patrullës), anije të marinës dhe sisteme raketore me bazë tokësore për t'iu përgjigjur këtyre aktiviteteve".
Ai shtoi se asnjë avion kinez nuk ka kaluar vijën e mesme të ngushticës së Tajvanit dhe as nuk ka hyrë në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore jugperëndimore të Tajvanit.
Kina e konsideron Tajvanin si "provincën e saj të shkëputur", ndërsa Taipei vazhdon të këmbëngul për pavarësinë e saj që nga viti 1949.