Bota, Kulturë

New York, u hap ekspozita "Istanbul Photo Awards 2021"

Rreth 40 fotografi që mbulojnë ngjarjet kryesore në të gjithë botën gjatë vitit të kaluar do të ekspozohen në selinë e OKB-së deri më 29 tetor

Betül Yürük  | 19.10.2021 - Përdıtësım : 20.10.2021
New York, u hap ekspozita "Istanbul Photo Awards 2021"

New York

Në New York mbrëmë u hap ekspozita që përmban një përzgjedhje fotografish nga konkursi ndërkombëtar i fotografisë së lajmeve, "Istanbul Photo Awards 2021", raporton Anadolu Agency (AA).

Një ceremoni inauguruese u mbajt në Qendrën e sapo-inauguruar Turkevi, ose Shtëpia Turke, në New York City.

Në ceremoni morën pjesë anëtari i bordit të AA-së, Ismail Çağlar, si dhe zv/drejtori i përgjithshëm i AA-së, Oğuz Enis Peru.

Rreth 40 fotografi që mbulojnë ngjarjet kryesore në të gjithë botën gjatë vitit të kaluar do të ekspozohen në selinë e OKB-së deri më 29 tetor.

Feridun Sinirlioğlu, përfaqësuesi i përhershëm i Turqisë në OKB, tha se ekspozita është ngjarja e parë kulturore në Qendrën Turkevi.

Ai tha se janë të kënaqur që e dinë se interesi për konkursin e fotografisë, të organizuar çdo vit nga AA, është rritur me kalimin e viteve.

Duke theksuar se ekspozita përfshin fotografi që pasqyrojnë efektet shkatërruese të COVID-19 nga perspektiva të ndryshme, si dhe krijimtarinë, vetëmohimin dhe vendosmërinë, ai tha se disa fotografi zbulojnë vuajtjet e atyre që humbën të dashurit e tyre në luftëra dhe fatkeqësi, si dhe efektet e ndryshimit të klimës.

"Shpresoj që ekspozita të forcojë vullnetin tonë kolektiv për të zgjidhur shumë çështje në mënyrë të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe shpejt", shtoi ai.

Në fjalën e tij, Peru tha se ngjarja më e rëndësishme e vitit të kaluar ishte padyshim pandemia e koronavirusit që preku të gjithë botën.

Fotografia e shtetasit të Bangladeshit, Mohammed Shajahan e titulluar "Dashuria e Nënës" fitoi Çmimin Foto e Vitit.

Duke shpjeguar se fotografët fitues të çmimeve kanë zbuluar zhvillimet në pjesë të ndryshme të botës me veprat e tyre në rajonet e luftës, konfliktit dhe fatkeqësive, përfshirë Azerbajxhanin, Sirinë dhe Libanin, Peru tha: "Ne besojmë se fotografia ka fuqinë për të arritur të gjitha kufijtë, dhe si Anadolu Agency, i japim rëndësi të madhe fotografisë".

Misioni i Përhershëm i Turqisë në Kombet e Bashkuara ndihmoi në hapjen e ekspozitës që sponsorizohet nga Turkish Airlines dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Edicioni i shtatë i çmimeve dhe ekspozita organizohen nga Anadolu Agency.

Juria ndërkombëtare e përbërë prej nëntë personash, ku janë të përfshirë fotoreporterë dhe një prezantuese vizuale, vendosin fituesit çdo vit.

Më shumë informacion në lidhje me çmimet dhe fotot fituese mund të gjenden në faqen e internetit, www.istanbulphotoawards.com.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.