Ekip
09 Mars 2022•Përditësim: 09 Mars 2022
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka njoftuar rinovimin e hershëm të misionit të NATO-s në Letoni, transmeton anadolu Agency (AA).
Në një konferencë të përbashkët për media me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez dhe kryeministri letonez, Arturs Krisjanis Karins, thanë se Spanja dhe Kanada u angazhuan për të dërguar më shumë trupa në mision.
“Ne jemi këtu për të mbrojtur çdo centimetër të territorit aleat. Parandalimi nuk është për të provokuar një luftë, është për të ruajtur paqen”, tha Stoltenberg.
Kanadaja po dërgon 460 trupa të tjera në bazën letoneze të misionit “Operacioni i Sigurisë”, ndërsa Spanja po dërgon 150 të tjerë.
“Trupat nuk po mbrojnë vetëm Evropën Lindore, por po ashtu mbrojnë të gjithë aleatët e NATO-s, përfshirë Kanadanë. Ata po mbrojnë lirinë dhe sigurinë”, tha Trudeau.
Derisa liderët ishin të sigurt në komentet e tyre dhe të përkushtuar për të ndërmarrë veprime për çdo sulm rus në territorin e NATO-s, ata këmbëngulën se aleanca mbetet thjesht mbrojtëse.
“Përgjegjësia jonë përfundimtare është t’i mbajmë të sigurt 1 miliard qytetarët tanë. Ne duhet të bëjmë gjithçka për të shmangur përhapjen e konfliktit përtej Ukrainës”, tha Stoltenberg.
Ata nuk diskutuan sanksionimin e mëtejshëm të Rusisë për sulmin e saj ndaj Ukrainës, megjithëse Sanchez tha se Bashkimi Evropian (BE) do të debatojë masa shtesë të enjten në samit.