Barış Gündoğan
15 shkurt 2017•Përditësim: 15 shkurt 2017
ANKARA (AA) - Në ditën e 174-të të operacionit "Mburoja e Eufratit" kundër objektivave terroriste në veri të Sirisë, nga toka dhe ajri janë goditur 224 objektiva të organizatës terroriste DEASH, ndërsa janë neutralizuar 17 terroristë pjesëtarë të DEASH-it, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit nga Shtatmadhoria e Turqisë, ende është duke vazhduar operacioni i nisur më 24 gusht të vitit 2016 në veri të Sirisë i cili synon mënjanimin e rrezikut të kanosur nga organizatat terroriste me në krye DEASH-in, rritjen e sigurisë kufitare dhe mbështetjen ndaj forcave të koalicionit.
Bëhet e ditur se Grupet e Forcave Speciale të përbëra nga njësite opozitare, deri në orën 07:00 të mëngjesit të sotëm kanë vazhduar ofensivën për pastrimin e elementeve terroriste në Al Bab me mbështetje intensive nga toka dhe ajri.
Sipas njoftimit, me anë të mbështetjes nga Komanda e Forcave Tokësore Turke, nën ofensivë janë marrë 194 objektiva të organizatës terroriste DEASH, me ç'rast janë goditur strehimore, pozicione mbrojtëse, qendra të kontrollit dhe komandës dhe automjete. Ndërkaq, avionët e forcave ajrore kanë realizuar operacion ndaj 30 objektivave të DEASH-it.
Gjatë operacionit ajror janë asgjësuar 16 ndërtesa të përdorura si strehimore, tri seli, një autobombë, dhjetë pozicione mbrojtëse dhe një depo armësh.
Si rezultat i gjuajtjeve me artileri, operacioneve ajrore dhe luftimeve, janë neutralizuar 17 terroristë pjesëtarë të organizatës terroriste DEASH.
Sulm me autobombë
Nga ana tjetër, në orët e mëngjesit, një grup terroristësh prej afërsisht dhjetë personash kanë ndërmarrë sulm me autobombë ndaj zonës së bazës së përkohshme në jug të Al Babit.
Njoftohet se ndaj terroristëve është hapur zjarr nga pjesëtarë të Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS) të cilët po mbanin kujdestari në linjën e jashtme dhe se janë vrarë tetë terroristë të cilët janë afruar në zonën e sulmit dhe mbanin jelekë me bomba. Po ashtu bëhet e ditur se shtatë ushtarë të ULS-së kanë rënë dëshmorë si pasojë e shpërthimit të një automjete në të cilin gjendeshin dy terroristë, ndërkohë që ushtarët e Forcave të Armatosura Turke nuk kanë pësuar asnjë dëm në zonën e bazës së përkohshme.
Në kohën teksa është zhvilluar operacioni, njoftohet se tri ushtarë janë plagosur si rezultat i përmbysjes së një autoblinde në një zonë tjetër, megjithatë, ata janë transferuar urgjentisht në spital dhe nuk janë në rrezik për jetë.