Zlatan Kapiç
03 Korrik 2017•Përditësim: 04 Korrik 2017
BRUKSEL (AA) - Bashkimi Evropian (BE) ka deklaruar se do të vazhdojë të luajë rol lehtësues për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Marrëdhëniet të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, ka pritur në një takim joformal presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Mogherini ka theksuar se palët kanë filluar një periudhë të re në normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimin mes vete. Siç thuhet, në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja, palët kanë marrë vendimin për t'i vënë në zbatim pa u vonuar marrëveshjet e arritura.
Duke folur pas takimit, presidenti i Kosovës Thaçi është shprehur se në takim kanë këmbyer mendime në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, duke shtuar se prioritet i Kosovës është vazhdimi i dialogut.
Thaçi ka thënë se instutucionet e Kosovës do ta vazhdojnë punën në unitet për vazhdimin e dialogut me Serbinë, duke i ftuar partitë e Kosovës të jenë të unifikuara.
Ndërkaq, në një njoftim nga Presidenca e Kosovës thuhet se pas këtij takimi presidenti kosovar Thaçi është shprehur se takimi i udhëhequr nga Mogherini është fokusuar në domosdoshmërinë e hapjes së një faze të re të dialogut, e cila sipas tij do të çonte drejt një normalizimi të plotë dhe pajtimi në mes të këtyre dy shteteve dhe popujve.
“Ishte konkludim i përbashkët se vetëm normalizimi i raporteve të plota ndërshtetërore, vetëm pajtimi në mes vendeve dhe popujve tanë paraqet më tepër paqe, stabilitet për të dy vendet, për rajonin, të ardhmen evropiane më të sigurtë dhe të shpejtë të vendeve tona”, ka thënë Thaçi.
Mes tjerash, Thaçi ka thëne se "Ne jemi dakorduar që ky proces të përfundojë sa më shpejtë, që të jetë sa më shpejtë i arritshëm, të finalizohet dhe të implementohet sa më shpejtë".
Nga ana tjetër, presidenti serb Vuçiç ka thënë se dialogu me Kosovën nuk është ndërprerë "në nivel presidencial", për të shtuar se ka nevojë për punime që do të zgjasin një muaj e gjysmë për vazhdimin e dalogut.
Vuçiç ka thënë se "duhet folur në mënyrë më të guximshme dhe më serioze" lidhur me marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës dhe kërkoi përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Serbisë në BE.
Ndryshe, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga BE-ja ka filluar në vitin 2011. Në vitin 2013, palët nënshkruan marrëveshje historike për normalizimin e marrëdhënieve, me të cilën ishte marrë vendimi për shpërndarjen e strukturave ilegale paralele serbe në Kosovë.
Për herë të parë në histori pas marrëveshjes, në Kosovë u organizuan mbledhje lokale që përfshinë edhe komunat me shumicë serbe në veri të vendit.
Edhe pse nga viti 2011 mes Kosovës dhe Serbisë u nënshkruan marrëveshje të shumta në kuadër të procesit të dialogut, gjendja mes palëve së fundmi ishte tensionuar me krizën e trenit serb dhe ndalimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj në Francë me urdhërarrest të Serbisë.