Ekip
08 Shkurt 2021•Përditësim: 08 Shkurt 2021
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi dhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në një bisedë telefonike kanë diskutuar çështjet rajonale dhe prioritetet e dy vendeve, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Ne diskutuam çështjet rajonale dhe prioritetet tona të përbashkëta. Ne po ashtu u pajtuam për të çuar më tej bashkëpunimin tonë kundër ndryshimeve klimatike", njoftoi Modi në rrjetet sociale, duke theksuar se ai përcolli urimet e tij më të mira presidentit amerikan, i cili mori detyrën më 20 janar.
Kryeministri i Indisë po ashtu realizoi një bisedë telefonike me presidentin amerikan nëntorin e kaluar kur u shpall fitues në zgjedhjet presidenciale.
Në një postim tjetër në rrjetet sociale, Modi tha se ai dhe Biden "janë të vendosur për një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla".
"Shpresojmë të konsolidojmë partneritetin tonë strategjik për paqen dhe sigurinë e mëtejshme në rajonin Indo-Paqësor dhe më gjerë", shkroi Modi.