Hussein Mahmoud Ragab Elkabany,Ayşe Sümeyra Aydoğdu
29 Prill 2018•Përditësim: 29 Prill 2018
KAJRO (AA) - Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe, Ahmed Ebu Gayt dhe ministri i Punëve të Jashtme i Francës, Jean-Yves Le Drian, në një takim të zhvilluar kanë biseduar rreth çështjeve të Palestinës dhe Sirisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin e publikuar nga Liga Arabe, bëhet e ditur se Le Drian dhe Gayt janë takuar në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro. Theksohet se në takim kryesisht janë trajtuar zhvillimet rreth çështjes së Palestinës dhe krizës së Sirisë.
Sipas njoftimit Ebu Gayt ka theksuar se Franca mund të luajë një rol të rëndësishëm për realizimin e kërkesave legjitime të popullit kryesisht për krijimin e një shteti të pavarur palestinez, kryeqyteti i të cilit do të jetë Kudsi Lindor.
Ebu Gayt gjithashtu ka kërkuar nga ministri i jashtëm francez që t'i bëjë presion Izraelit që t'i përmbush detyrimet që rrjedhin nga vendimet ndërkombëtare si dhe ndalimin e sulmeve që vazhdojnë duke u rritur ndaj palestinezëve.
Ndërsa Le Drian, duke përsëritur qëndrimin e vendit të tij për një zgjidhje me dy shtet, theksoi se nuk do të pranojnë asnjë ndryshim që do të dëmtojë situatën ligjore dhe historike të Kudsit.
Ebu Gayt dhe Le Drian gjithashtu bashkëbiseduan edhe për marrëveshjen nukleare me Iranin, Libinë, krizën në Siri si dhe sulmet e SHBA, Britanisë dhe Francës në Siri.