Ömer Aydın
02 Tetor 2017•Përditësim: 03 Tetor 2017
MULHOUSE (AA) - Pesë persona, prej të cilëve tre shtetas turq, kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që mbrëmë ka përfshirë një ndërtesë në qytetin Mulhouse të Francës, raporton Anadolu Agency (AA).
Zjarri ka ndodhur në lagjen Bourtzwiller në Mulhouse, qytet ky me numër të madh të popullsisë turke, ndërsa krahas pesë të vdekurve, tetë të tjerë kanë pësuar plagë, prej të cilëve tre më rëndë.
Özgür Çınar, kryekonsull i Turqisë në Strazburg, për AA njoftoi se janë informuar që zjarri fillimisht ka përfshirë bodrumin e ndërtesës pesëkatëshe, ndërsa më pas është përhapur në të gjithë ndërtesën, duke shtuar se tre prej personave që kanë humbur jetën ishin shtetas turq.
Ndërkaq, kryebashkiaku i Mulhouse, Jean Rottner, njoftoi se katër prej të vdekurve janë fëmijë dhe se lidhur me incidentin është krijuar tryezë për menaxhimin e krizës.
Siç theksohet, të plagosurit janë transferuar për trajtim në spitale të ndryshme të qytetit.
Ndryshe, në një zjarr në vitin 2014 në Mulhouse jetën kishin humbur tre persona nga e njëjta familje.