Cüneyt Karadağ
15 Korrik 2016•Përditësim: 15 Korrik 2016
BERLIN (AA) – Kancelarja gjermane Angela Merkel ka dënuar sulmin e mbrëmshëm terrorist në Nice të Francës. Ajo tha se vendi i saj është pranë Francës në luftën kundër terrorizmit, raporton Anadolu Agency (AA).
Kancelarja gjermane Angela Merkel, po qëndron në kryeqytetin e Mongolisë, Ulan Bator me rastin e Takimit të 11-të Aziatio-Evropian (ASEM). Ajo u prononcua edhe me rastin e sulmit të mbrëmshëm në Nice, ku sipas informacioneve të fundit, jetën e kanë humbur të paktën 84 persona dhe janë plagosur dhjetëra të tjerë.
Duke thënë se komentet mbi këtë sulm janë të tepërta, Merkel theksoi se "Gjermania është me Francën në luftën kundër terrorizmit" duke shtuar se pavarësisht të gjitha vështirësive terrorizmi do të mposhtet.
Ajo gjithashtu tha se sulmi terrorist në Nice në Ditën e kremtimit të festës kombëtare, e shndërroi këtë në ditë zie.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, në një deklaratë me shkrim, tha se kremtimi i festës kombëtare përfundoi në tragjedi dhe se bashkëndiejnë me popullin francez.
"Gjermania është shumë e pikëlluar dhe në këto momente të vështira jemi me Francën", thuhet në shënimin e Steinmeier-it.