Ekip
05 shkurt 2021•Përditësim: 05 shkurt 2021
Autoritetet lokale në shtetin verilindor të Meksikës, Tamaulipas të mërkurën vonë liruan 49 migrantë në një pronë të braktisur pranë një zone ku 19 persona u vranë muajin e kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Migrantët, shumica prej tyre nga Amerika Qendrore, u dëgjuan duke bërtitur dhe duke kërkuar ndihmë. Sipas policisë, ata u mbajtën rob në një "kamp" në komunën Reynosa, e cila kufizohet me Teksasin.
"Policia u njoftua nga një fqinj për britmat e njerëzve që kërkonin ndihmë", tha Zyra e prokurorit në Tamaulipas në një deklaratë.
Ishin 19 nga Hondurasi, 14 nga Salvadori, 11 meksikanë dhe 5 nga Guatemala, shtoi ai.
Sipas prokurorisë, migrantët synonin të kalonin kufirin verior për në SHBA.
"Megjithatë, personat me të cilët kishin marrëveshje për t'i transferuar ata u kërkuan pagesë më të lartë. Kur ata refuzuan, atyre u tha se do t'i dorëzoheshin një grupi tjetër, kështu që ata kërkuan ndihmë", tha Zyra e prokurorit.
Muajin e kaluar, kufomat e djegura të 19 personave u gjetën në një automjet të braktisur. Deri më tani, autoritetet kanë identifikuar dy migrantë të Guatemalës midis tyre.
Zyrtarët meksikanë kohët e fundit arrestuan 12 policë për përfshirjen e tyre në masakër.