Jeyhun Aliyev
05 shkurt 2021•Përditësim: 05 shkurt 2021
Qeveria e Jemenit përshëndeti vendimin e presidentit të SHBA-së, Joe Biden të enjten rreth dhënies fund zyrtarisht të mbështetjes amerikane për fushatën e udhëhequr nga sauditët në Jemen, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Jashtme e Jemenit në një deklaratë tha se qeveria e vendit ishte e gatshme të bashkëpunojë me komunitetin ndërkombëtar për vendosjen e paqes gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në vend.
Duke iu referuar emërimit të Tim Lenderking, një diplomat karriere, si përfaqësues special i SHBA-së në Jemen, në deklaratë thuhet se ky është një hap i rëndësishëm në mbështetjen e qeverisë dhe popullit të vendit.
Të enjten, Biden gjithashtu i dha fund zyrtarisht mbështetjes së SHBA-së për ofensivën e udhëhequr nga sauditët në Jemen, duke ndaluar të gjitha "shitjet relevante të armëve".
"Kjo luftë duhet të marrë fund dhe për të nënvizuar angazhimin tonë, ne po i japim fund të gjithë mbështetjes amerikane për operacionet sulmuese në luftën në Jemen, përfshirë shitjet relevante të armëve", deklaroi ai.
SHBA gjithashtu do të rrisë përpjekjet e saj diplomatike për t'i dhënë fund luftës, duke forcuar mbështetjen e saj për iniciativat e drejtuara nga OKB-ja për vendosjen e një armëpushim mbarëkombëtar dhe për rifillimin e bisedimeve të paqes, të cilat gjatë kohë kanë mbetur të bllokuara.
Duke folur në Departamentin e Shtetit në fjalimin e tij të parë lidhur me politikat e jashtme, Biden tha se është duke i bërë këto ndryshime për shkak të katastrofës humanitare të vazhdueshme, e cila është përkeqësuar shumë nga ofensiva saudite.
Arabia Saudite
Në fjalën e tij, Biden tha se SHBA-ja do të vazhdojë të ndihmojë Arabinë Saudite ndërsa vazhdon të përballet me sulme në territorin e saj nga rebelët Huthi të Jemenit dhe se Washingtoni do të ndihmojë Rijadin "të mbrojë sovranitetin, integritetin territorial dhe popullin e saj".
Sipas Agjencisë zyrtare saudite të lajmeve (SPA), mbretëria e mirëpriti këtë vendim.
Arabia Saudite dëshiron të punojë me të gjitha palët e lidhura dhe forcat e koalicionit për t'i dhënë fund luftës në Jemen, njoftoi SPA.
Fushata e Rijadit kundër Huthive ka nxitur turbulenca të gjera humanitare mes mizorive të përsëritura, përfshirë shënjestrimin e një funerali në Sana, kryeqyteti i kontrolluar nga rebelët në vitin 2016, ku mbetën të vrarë më shumë se 100 persona.
Huthit
Huthit e mbështetur nga Irani në Jemen gjithashtu përshëndetën vendimin e Bidenit.
"Ne mirëpresim çdo përpjekje nga SHBA-ja për t'i dhënë fund luftës në Jemen dhe për heqjen e rrethimit ndaj vendit", deklaroi ministri i ashtuquajtur i Jashtëm i Huthive, Hisham Sharaf, për kanalin Al-Mayadeen të lidhur me Hezbollahun e Libanit.
Duke iu referuar një burimi të Huthive, të cilin nuk e zbuloi, kanali gjithashtu pretendoi se kishte pasur bisedime midis Huthive dhe administratës së re të SHBA-së për një javë.
Grupi rebel i mbështetur nga Irani pushtoi pjesën më të madhe të Jemenit në vitin 2014, duke përmbysur qeverinë dhe duke e dërguar atë në ekzil para se të kthehej në qytetin port të Adenit në vitin 2016.
Përleshjet politike janë zhvilluar mes asaj që konsiderohet gjerësisht si katastrofa më e rëndë humanitare në botë, ndërsa Jemeni, vendi më i varfër në botën arabe edhe para konfliktit, po përballet gjerësisht me urinë.
Fushata e koalicionit saudit, e cila kishte për qëllim të rikthejë territoret e pushtuara nga Huthit është kritikuar gjerësisht nga grupet e të drejtave për përkeqësimin e situatës dhe krizën më të rëndë humanitare në botë të shkaktuar nga njeriu me gati 80 për qind ose rreth 30 milionë jemenas që kanë nevojë për ndihmë humanitare.
Rreth 13 milionë njerëz në Jemen janë në rrezik nga uria.